E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vriten 27 policë në Irak

27 policë kanë mbetur të vdekur, ndërsa 5 të tjerë u plagosën, gjatë një seri sulmesh kundër rajoneve të policisë në Haditha, të Irakut. Siç raporton BBC, sulmet u kryen nga rreth 50 persona të armatosur në pjesë të ndryshme të qytetit.

Sulmet nisën që në orën 2 të mëngjesit, me rrëmbimin e dy oficerëve të lartë të policisë nga shtëpitë e tyre.

Disa orë më vonë, 2 pengjet u gjetën të vdekur të qëlluar në kokë. Atentatorët e armatosur, të cilët mbanin uniforma policie, me pas u shpërndanë nëpër qytet duke sulmuar pikat e kontrollit.

Autoritetet lokale kanë fajësuar Al Qaeden për sulmet, pasi një flamur i organizatës terroriste ishte ngritur në një prej pikave të kontrollit që u sulmua.

Ky është episodi më i madh i dhunës në Haditha, që nga koha kur një sulmues vetëvrasës hodhi vetën në erë në një bankë të qytetit në mars të vitit të kaluar, duke vrarë 9 persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›