E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi s’i përjashton zgjedhjet e parakohshme më 2010

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk e ka përjashtuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, gjatë vitit të ardhshëm, “nëse ky do të jetë interesi i Kosovës”.

“Nëse është interesi i Kosovës, nëse është interes i institucioneve dhe i demokracisë së vendit, unë nuk e them se medoemos zgjedhjet duhet të mbahen në vitin 2011. Nëse është interesi i përbashkët që zgjedhjet të mbahen në 2010, atëherë unë si kryetar i Parlamentit, por edhe si sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, jam në shërbim të proceseve demokratike që e avancojnë jetën politike dhe demokratike në Kosovë”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për Radio Kosovën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka kritikuar Qeverinë për shkak të ngadalësisë në përgatitjen e ligjeve. “Plani i Kuvendit ka paraparë miratimin e më shumë ligjeve gjatë vitit 2009, por realisht ato nuk kanë ardhur sipas planifikimeve nga qeveria, si sponsorues kryesor i ligjeve. Qeveria në këtë drejtim ka pasur një ngecje dhe kështu as Kuvendi nuk ka arritur të përmbushë planin e vet për miratimin e më shumë ligjeve”.

Ai po ashtu kritikoi EULEX-in gjatë vitit të parë të punës në Kosovë duke vlerësuar se ky mision nuk i ka përmbushur plotësisht pritjet e institucioneve të Kosovës. “Në disa detyra, sa i përket pjesës veriore të vendit, mund të themi se EULEX-i i ka ndihmuar institucionet e Kosovës. Megjithatë, në fushat tjera deri tani nuk ka pasur ndonjë sukses të dukshëm. Shpresojmë që në vitin e dytë të ketë suksese”, tha Krasniqi.

I pyetur rreth mundësisë për rishikimin e mandatit të EULEX-it, Krasniqi u thirr në propozimin Ahtisari sipas të cilit “pas një periudhe trevjeçare ekziston mundësia për të rishikuar disa çështje”.

“Varet shumë se si do të funksionojnë institucionet e Kosovës, si do të ngrihen kapacitetet qeverisëse dhe nga kjo varet rishikimi i mandatit”, tha kryeparlamentari.

Krasniqi përgjithësisht e vlerësoi të suksesshëm vitin 2009 por ai tha se mbeten ende çështje të cilat duhet të adresohen menjëherë në fillim të vitit 2010 nga Kuvendi i Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›