Më 2009 vetëm 11 njohje, Beqiri e quan normale

Ndonëse gjatë vitit që po e lëmë pas Kosova është njohur vetëm nga 11 shtete, duke ngritur numrin e përgjithshëm në 64 shtete, Ministria e Punëve të Jashtme thotë se nuk ka ngecje të mëdha në procesin e njohjes.
Megjithatë, kjo ministri e pranon se procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka pasur ndikim te vendet që hezitojnë të marrin vendimin për njohje.
Albana Beqiri, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), konsideron se procesi i njohjeve ka qenë normal, ndonëse e pranon se procesi në Hagë ka ndikuar te vendet që hezitojnë të njohin Prishtinën zyrtare.
“Ne nuk mund të themi se ka pasur ndonjë ngecje shumë të madhe. Procesi i njohjeve ka qenë një proces normal. Procesi i njohjeve nga gjysma e 2008-së e këndej ka vijuar normalisht. Gjithsesi sa i përket procesit të GJND-së, sigurisht që dërgimi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka ndikuar te një pjesë e mirë e vendeve, të cilat janë luhatur për të marrë vendimin për njohje. Ky është vendimi i tyre dhe ne do të presim dhe do të respektojmë atë”, ka thënë Beqiri, për Kosovapress.
MPJ pret që procesi i njohjeve të vazhdojë me ritëm të përshpejtuar pas vendimit që pritet të sjellë në pranverë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Shteti i fundit që e ka njohur Kosovën është Malavi. Ky shtet afrikan e mori vendimin për njohje, pak ditë pas përfundimit të seancave dëgjimore në Hagë, ndërsa viti 2009 ishte hapur me njohjen nga Panamaja, saktësisht më 16 janar.