E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasta, një park modern rajonal

16/03/2009  Kryeministri Sali Berisha u premton elbasanasve rrugën deri në kodër dhe kampusin universitar

Çfarë parashikon projekti për zhvillimin dhe të turizmit në një zonë me resurse

ELBASAN-Kthimi i kodrës së Krastës së Madhe, 1,5 km larg qytetit të Elbasanit, në një park turistik rajonal tashmë duket më afër se kurrë, pasi studimi i projektit përkatës ka përfunduar, ndërsa pritet miratimi i tij në KRRTRSH. Studimi, pjesë dhe e strategjisë së zhvillimit të qytetit, parashikon një investim prej 150 milionë lekësh nga qeveria, investim që do ta shndërrojë atë në një park rajonal turistik. Kodra e Krastës së Madhe, 1,5 kilometra larg qytetit, ndodhet mes 2 njësive vendore, Labinot-Fushë, bashkisë së Elbasanit dhe në anën tjetër kufizohet me lumin Shkumbin dhe është në pronësi të Ministrisë së Mjedisit, si zonë pyjore.

Ministri i Kulturës dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Qarkut, Ardian Turku, shpjegon se pas negociatave me Ministrinë e Mjedisit, janë pranuar kushtet e ndërhyrjes, për ta kthyer këtë kodër në park rajonal turistik. Në fakt ndërhyrjet nuk parashikojnë betonime, përkundrazi parashikojnë edhe rritje të dendësisë së pyllëzimit në pjesët e dëmtuara.

Studimi

Të gjitha ndërhyrjet, sipas studimit, për ta kthyer këtë zonë në park turistik rajonal, parashikojnë të jenë në dru, në stilin e minifshatrave turistikë, ku një pjesë do t’i takojë shtetit. Studimi për një park turistik në kodrën e Krastës së Madhe përfshin objekte të ndryshme shplodhëse, mes të cilëve zona të gjera për piknikë të lirë qytetarësh, të pajisur me stola druri që do të financohen nga shteti, ku qytetarët nuk do të paguajnë taksa. Në të parashikohet një “Luna Park ” për fëmijët, vetëm një objekt tip restoranti me pishinë si nismë private, kënde sportive, pika të ndryshme shërbimi, linjë telefonike, pistë helikopteri për raste emergjente, amfiteatër me përmasa të mëdha, parkingje dhe 5 hyrje-dalje nga Krasta, si dhe një teleferik i vogël me shina.

Projekti për shndërrimin e Krastës së Madhe në park turistik rajonal nisi në 2006-n, si një dëshirë e komunitetit të qytetit të Elbasanit. Ardian Turku, që në atë periudhë ishte kryetar i Bashkisë së Elbasanit dhe një nga nismëtarët, shpjegon se projekti teknik u hartua bazuar në katër elementë kryesorë të infrastrukturës, në rrugë kryesore nga kryqëzimi i shinave të trenit deri në pllajën sipër kodrës së Krastës së Madhe, një rrugë e asfaltuar me dy kalime me trotuare dhe ndriçim përkatës, sistemimi i ujërave të zeza, shtrirja e tubacioneve për ujin e pijshëm, linja elektrike, telefonike, etj. Por, aktualisht në këtë zonë ndodhet një repart ushtarak, për të cilin Turku thotë se do t’i kërkohet Ministrisë së Mbrojtjes që ta kalojë në pronësi të pushtetit lokal dhe nëse arrihet kjo në studim parashikohet dhe ngritja e një kampusi universitar. “Duhet një kombinim investimesh shtetërore dhe private, të cilat mund të realizohen. Të gjitha këto investime parashikohet të realizohen në një afat kohor prej pesë vitesh”, përfundon Turku.

Kryeministri Berisha ka deklaruar mbështetjen e plotë për projektin e parkut rajonal të Krastës për banorët e Elbasanit. Ai është njohur nga ministri i ri i Kulturës, Ardian Turku, me projektin e hartuar për kthimin e kësaj kodre në park natyral nëpërmjet stendës së Këshillit të Qarkut të vendosur në Panairin Dita e Verës. Kryeministri ka premtuar rrugën dhe kalimin e godinës së repartit ushtarak në pronësi të Universitetit për ta kthyer në kampus universitar. “Ju paraqisni këtu një plan zhvillimi për Krastën. Dua t’ju garantoj se kjo qeveri do të mbështesë dhe do të fillojë menjëherë, investimin në rrugë që të çon në Krastë, e cila do të jetë një shëtitore e bukur me ndriçim dhe me të gjitha aspektet e një shëtitoreje të bukur për qytetarët e Elbasanit.

PARKU

Krasta e Madhe, mundësi

për frymëmarrje

Zona e Krastës së Madhe është pyllëzuar në vitet 1959-1969 me pisha të egra dhe të buta, me qëllim krijimin e një kurore të gjelbër mjaft të bukur në periferi të Elbasanit. Nisur nga pozita gjeografike tepër e favorshme e zonës së pyllëzuar të Krastës së Madhe, tendenca e zgjerimit të zonës së banuar dhe e ndërtimeve të reja përreth saj, kanë krijuar kushte optimale të favorshme për përfshirjen brenda kufijve të jetës urbane të qytetit Elbasan. Krijimi i një parku të ri periferik rekreativ për të zbutur fenomenet negative të urbanizimit pa kriter dhe ndotja e trashëguar në qytetin e Elbasanit, mbetet një zgjidhje emergjente. Ministri më i ri i qeverisë Berisha Adrian Turku synon që projekti të avancojë për të arritur objektivin, në mënyrë që Krasta e Madhe të kthehet në park çlodhës për banorët e zonës dhe më gjerë. Fatmirësisht kjo kodër nuk është sulmuar nga ndërtimet pa leje, por vetëm në pjesën fundore të saj është ndërtuar, gjë që nuk e vë në diskutim projektin e hartuar nga Këshilli i Qarkut në shërbim të të gjithë zonës së Elbasanit.

Autorët, dy vëllezër dhe gruaja e njërit prej tyre

Vranë taksistin, “burg pa afat” 3 shtetasve

SHKODER- Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre shtetas nga Tropoja, dy vëllezër dhe bashkëshorten e njërit prej tyre, me akuzën e “vrasjes” së një shtetasi. Bëhet fjalë për shtetasit Granit Hasanpapaj 16 vjeç, Jetmir Hasanpapaj 24 vjeç dhe gruan e këtij të fundit, 21-vjeçaren Almirjola Koka. Këta shtetas akuzohen se më datë 17 shkurt të këtij viti kishin vrarë dhe masakruar shtetasin Avni Sinani në Tropojë. Fillimisht mbrojtja e të pandehurve kërkoi që ndaj shtetasit 16-vjeçar Jetmir Hasanpapajën të mos jepej masa e sigurisë me burg, por me arrest shtëpie. Trupi gjykues i kryesuar nga Tonin Stërkaj ka dëgjuar më pas prokurorin e çështjes Frederik Laloshi, i cili ka paraqitur faktet që inkriminonin të ndaluarit në krim dhe kërkoi që gjykata ta shpallte të ligjshëm ndalimin e të akuzuarve. Më tej prokurori Laloshi i kërkoi trupit gjykues që të merrte masën e sigurisë arrest me burg ndaj të pandehurve.

Nga ana e saj edhe mbrojtja e ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin nga policia të bashkëshortëve Jetmir dhe Almirjola Hasanpapaj. Pas ka dëgjuar dy palët, akuzën dhe mbrojtjen, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Tonin Stërkaj mori vendimin, ku vlerësohej i ligjshëm ndalimi në flagrancë i këtyre shtetasve ndaj ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të pandehurit. Sipas policisë, ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 17 shkurt 2009. Në këtë datë dy vëllezërit Hasanpapaj kanë vrarë shtetasin Avni Sinani taksist nga Tropoja. Në bazë të hetimeve të deritanishme shkak i kësaj ngjarjeje është bërë fillimisht një ngacmim që taksisti i ka bërë nuses së njërit prej vëllezërve Hasanpapaj. Pas këtij ngacmimi Almirjola i ka treguar të shoqit dhe të tre shtetasit në bashkëpunim kanë organizuar vrasjen e taksistit, të cilin më pas kanë tentuar ta hedhin në lumin Drin. Por trupi i viktimës ka mbetur në shkurre dhe është vërejtur nga kalimtarë, të cilët kanë lajmëruar policinë. Blutë kanë filluar hetimet dhe pas shumë kërkimesh kanë gjetur fillimisht mjetin e djegur, më të cilin ishte transportuar trupi. Mjeti u gjet në fshatin Berishë të Tropojës. Grupi hetimor më pas ka arritur në konkluzionin se autorët janë vëllezërit Hasanpapaj dhe Almirjola Koka, të cilët më pas dhe janë arrestuar nga policia. Të njëjtat burime policore shprehen se shtetasi Jetmir Hasanpapaj kishte dhe precedent penal, pasi kishte qenë në burg për trafik automjetesh dhe dezertim nga ushtria.

V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›