E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitimi, pensionet sipas kategorive

16/03/2009  Llogaritja për pensionet familjare, invaliditeti, të reduktuara e të pjesshme

Skema klasike, trajtimet e pjesshme dhe të reduktuara sipas moshës dhe vjetërsisë

Kategorizimi i skemës së pensioneve realizohet sipas shtresave përfituese. Përfitimi bazë janë pensionet e pleqërisë, që jepen për të gjithë ata individë që kanë mbushur moshën dhe vitet e nevojshme të punës, që është 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë, por të gjithë duhet të kenë patjetër 35 vjet pune të siguruara. Në këtë skemë të interesuarit që nuk kanë plotësuar moshën ose vitet e nevojshme të punës mund të përfitojnë pension të reduktuar ose të pjesshëm. Me këto dy lloj përfitimesh aplikuesit nuk mund të marrin të ardhurat e plota që mund të merrnin në rast se do të përfitonin pension të plotë pleqërie. Pra, pensioni i përfituar mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit, ndërkohë që u nënshtrohet të gjitha rritjeve që u bëhen pensioneve nga Këshilli i Ministrave. Një kategori tjetër e përfitimeve janë edhe pensionet e invaliditetit, që shërbejnë për të mbrojtur me të ardhura personat e siguruar kur humbin aftësinë për punë si pasojë e një gjendje të caktuar shëndetësore. Kjo gjendje mund të jetë e përkohshme apo e përhershme, ndërkohë që përfitimi mund të jetë i plotë ose i pjesshëm, në varësi të gjendjes së personit përfitues. Ndërkohë një kategori tjetër që mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore janë edhe ato familje që kanë humbur kryefamiljarin. Këto përfitime quhen “pensione familjare” dhe shërbejnë për të mbrojtur personat që janë në ngarkim të mbajtësit të familjes, i cili është ndarë nga jeta, pavarësisht nëse ka qenë ose jo i siguruar.

Pensioni i reduktuar

Në ligjin e sigurimeve shoqërore thuhet se individë të caktuar kanë të drejtë të përfitojnë një pension pleqërie të reduktuar, duke plotësuar kushtet e paracaktuara. Nevoja për të dhënë këtë lloj përfitimi, krahas përfitimeve të tjera që jep ky ligj, ka ardhur si rezultat i pamundësisë së një kategorie personash që për arsye e rrethana të ndryshme nuk mund ta vazhdonin më tej skemën e detyrueshme, ndërkohë që kanë plotësuar periudhën e sigurimit për të marrë një pension të plotë pleqërie për 35 vjet. Pamundësia e ndjekjes së skemës nga personat që mund të aplikojnë për pension të reduktuar është e ndryshme, mund të jenë larguar jashtë vendit, mund të kenë arsye të ndryshme familjare, mund të kenë një gjendje jo të mirë shëndetësore, gjendje që nuk i vendos në kushte përfitimi për të përfituar pension invaliditeti etj. Kushtet për të përfituar janë kur: të ketë jo më pak se 35 vjet sigurim, mosha 62 vjeç për burrat e 57 vjeç për gratë, kur mosha e daljes në pension të plotë pleqërie është më e madhe, si dhe kur nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Nuk mund të aplikojnë për pension të reduktuar të gjithë ata persona që kryejnë veprimtari ekonomike në të gjitha format: të punësuar, punëdhënës apo të vetëpunësuar, përfshirë dhe të vetëpunësuarit në bujqësi. Personat e vetëpunësuar në bujqësi nuk mund të aplikojnë për pension pleqërie të reduktuar, mbasi ata e kanë objektin e punës: tokën në pronësi apo përdorim, të blerë ose me qira, pra i kanë të gjitha kushtet për të ndjekur skemën e detyrueshme, duke paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore derisa të plotësojnë kushtet për pension të plotë pleqërie sipas nenit përkatës.

Llogaritja

Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni është 0.6 për qind në muaj. Si të gjithë pensionet e tjera dhe ky pension u nënshtrohet të gjitha indeksimeve apo rritjeve që bëhen me vendime të veçanta të qeverisë.

Pensioni familjar

Ndarja dhe llogaritja sipas kategorive përfituese

Në kushtet për të përfituar pension familjar është dhe periudha e nevojshme e sigurimit që duhet të ketë i ndjeri në kohën që vdes. Periudha e sigurimit e nevojshme për një pension familjar llogaritet sipas nenit 35 të ligjit nëpërmjet formulës (moshë - 20 vjet ) /2.

Sipas ligjit, rezulton se 50 për qind e masës së pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit e merr bashkëshorti ose bashkëshortja, sipas rastit, ndërsa jetimët marrin në çdo rast nga 25 për qind, por jo më shumë se 50 për qind, kur janë më shumë se dy jetimë. Në rastet kur jetimi është ose mbetet i vetëm në skemë, pasi mund t’i kenë vdekur dy prindërit ose një prind është gjallë dhe është i papunë, pensioni i jetimit është 50 për qind. Për personat që banojnë në fshat masa 50 për qind për jetimin nuk mund të merret kur njeri nga prindërit është gjallë dhe në moshë pune.

Llogaritja: Nëse një mbajtës familjeje vdes në moshën 40-vjeçare, periudha e nevojshme e sigurimit që duhet të ketë është (40-20)/2 = 10 vjet. Masa e pensionit llogaritet njëlloj si pensioni i pleqërisë. Në jetën e përditshme ndodh që vdes mbajtësi i familjes, por nuk e ka periudhën e nevojshme të sigurimit, siç e kërkon ligji. Sipas shembullit të mësipërm, mbajtësi i familjes që vdes kishte 5 vjet pune gjithsej dhe jo 10 vjet sa kërkon ligji. Në këtë rast personat në ngarkim të mbajtësit të familjes që vdes do të marrin një pension familjar të reduktuar. Shkalla e reduktimit të këtij pensioni del nga raporti i viteve që ka pasur i ndjeri me vitet që kërkon ligji ose 5:10 = 0.5.

Pensioni i pjesshëm

Bazuar në ligjin e sigurimeve shoqërore, për të gjithë personat që për arsye e motive të ndryshme nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sipas ligjit, që aktualisht janë 35 vjet si për burrat dhe për gratë, është parashikuar që këta persona të përfitojnë pension të pjesshëm të pleqërisë, pra të marrin pensionin për aq vjet pune sa kanë investuar në skemë, por jo më pak se 15 vjet gjithsej. Pensionin e pjesshëm të pleqërisë nuk e përfitojnë dot personat që kanë punuar në punë të kategorisë së parë apo të dytë, pasi për këta persona ligji ka parashikuar ndryshe për efekt të moshës së daljes në pension. Personi i siguruar për një kohë më pak se 35 vjet dhe më shumë se 15 vjet sigurimi ka të drejtë të përfitojë pension të pjesshëm në moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Pensioni i pjesshëm caktohet si pjesë e pensionit të plotë. Ky pension llogaritet duke shumëzuar pensionin e plotë me vitet e sigurimit dhe duke bërë pjesëtimin me 35. Për efekt llogaritjeje edhe pensioni i pjesshëm llogaritet njëlloj si pensioni i plotë i pleqërisë. Masa e pensionit të pjesshëm korrigjohet me raportin midis viteve të punës që ka pensionisti pjesëtuar me 35 vjet, aq sa kërkon ligji.

Pensioni i invaliditetit

Aplikimi dhe përfitimi i pagesës

Trajtimi me pensione invaliditeti mbron me të ardhura personat e siguruar edhe kur humbin aftësinë për punë si pasojë e një gjendje të caktuar shëndetësore. Kjo gjendje mund të jetë e përkohshme apo e përhershme, e plotë apo e pjesshme. Në ligjin e sigurimeve shoqërore, që bën fjalë për pension të plotë invaliditeti, theksohet se

“personi që bëhet i paaftë merr pension invaliditeti kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit dhe për çdo arsye, veç aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale. Ai e merr këtë pension kur bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike, kur ka gjymtime të forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin). Invaliditeti caktohet nga komisioni mjekësor i caktimit të aftësisë për punë (KMCAP). Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa gjysma e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç. Personi që është në kushtet e invaliditetit të plotë (si pasojë e gjendjes së tij shëndetësore), por nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Pra, siç shihet, pension të plotë invaliditeti merr çdo person që bëhet i paaftë plotësisht për çdo lloj pune dhe ka një periudhë të caktuar sigurimi, pavarësisht se në kohën që sëmuret mund të mos jetë në marrëdhënie pune, i siguruar. Në këtë rast personi që pretendon se ka humbur aftësinë për punë u nënshtrohet ekzaminimeve të plota mjekësore, pajiset me fletë drejtimi nga institucioni me shtretër që e ka ekzaminuar dhe drejtohet në komisionin e caktimit të aftësisë për punë në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore, ku vërtetohet shkalla e dëmtimit të tij. Si rregull, kjo periudhë shkon nga 6 muaj deri në një vit, me të drejtë përsëritjeje dhe rikontrolli dhe për sëmundje që kanë karakter të parikthyeshem. Afati i invaliditetit zgjatet deri në 3 vjet.

Llogaritja

Periudha e nevojshme ligjore e sigurimit për të përfituar një pension të plotë invaliditeti varet nga mosha e të sëmurit. Ajo llogaritet sipas formulës: mosha e invalidit minus 20 vjet pjesëtuar për dy. P.sh: një person i moshës 48-vjeçare bëhet invalid, periudha e domosdoshme ligjore për të marrë pension të plotë invaliditeti është (48-20) / 2 = 14 vjet. Pra, këtij invalidi i duhen 14 vjet pune gjithsej. Kjo periudhë sigurimi vërtetohet me librezën e punës apo me dokumente të tjera ligjore. Ndodh që personi i bërë invalid nuk e ka periudhën e nevojshme të sigurimit, për rastin tonë 14 vjet, por ka vetëm 10 vjet. Në këtë rast ai trajtohet me përfitim të pjesshëm. Pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit. Ai llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit. Në mbështetje të këtij neni këtë lloj pensioni e përfitojnë vetëm personat e punësuar që humbin pjesërisht aftësinë për punë në raport me punën e mëparshme.

Lejet e ndërtimit

Bashkia reagon për akuzat e hedhura nga LSI

Akuzat e hedhura nga për lejet e ndërtimit në kryeqytet shndërrohen në debat të ashpër ndërmjet forcave politike. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës për parullat e vendosura në rrugët e kryeqytetit, ku si autorë janë identifikuar përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këta të fundit i kanë kërkuar kreut të Bashkisë Edi Rama që të kontribuojë në zbardhjen e aferave korruptive që janë kryer së shumti për lejet e ndërtimit me Mihal Delijorgjin. Në një prononcim për shtyp të dhënë dje nga nënkryetari i këtij institucioni Eduard Shalsi janë lëshuar akuza të ashpra kundrejt kreut të LSI-së Ilir Meta për dhunim të kujtimit të viktimave që solli tragjedia famëkeqe e Gërdecit. Kritikat nuk i janë drejtuar vetëm kësaj force politike, por edhe maxhorancës, e cila, sipas përfaqësuesve të Bashkisë, nuk po mban qëndrimin e duhur ndaj kësaj situate, duke përfituar politikisht. “Ilir Meta është kaq i verbuar nga urrejtja, sa e ka harruar se sot është dita për të kujtuar tragjedinë e fabrikës së paligjshme të Gërdecit dhe jo për të vazhduar me shpifjet për lejet e ligjshme të Bashkisë së Tiranës. Por fatkeqësisht, Iliri është bërë njësh me Berishën dhe të dy bashkë janë bërë sot shëmbëlltyra më e ulët e politikës së vjetër të interesave personale e familjare në dëm të interesave qytetare e atdhetare”, - ka pohuar Shalsi. Ai ka kërkuar që vëmendja kryesore në këtë ditë duhet t’u kushtohet viktimave dhe familjarëve që përjetuan ngjarjen e hidhur të një viti më parë. Me tone të ashpra Shalsi ka vijuar se “Ggynah që edhe një herë Ilir Meta shfrytëzon një ditë të madhe për një poshtërsi të vogël”. Gjatë ditëve të fundit kanë qenë të shumta replikat e shkëmbyera ndërmjet institucioneve qendrore e lokale, këto të ndara sipas përkatësive dhe bindjeve politike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›