Kredi pa interes dhe qira me të drejtë blerjeje, kategoritë përfituese nga skemat e reja të strehimit

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Familjet që kanë vështirësi për të blerë një banesë në tregun e lirë mund të kenë në dispozicion instrumente të reja financiare, përmes ndryshimeve të propozuara nga qeveria në ligjin për strehimin social.
Projektligji parashikon dy programe të reja për strehimin e përballueshëm: marrjen e banesës me qira me mundësi blerjeje në vijim dhe kreditimin me interes zero, të shoqëruar me garanci shtetërore për kategori të caktuara përfituesish.
Në programin e qirasë me të drejtë blerjeje, pagesat e kryera gjatë periudhës së banimit do të përdoren pjesërisht për të mbuluar vlerën e blerjes së apartamentit. Kjo do t’u japë përfituesve mundësinë të ndërtojnë gradualisht vlerën e nevojshme për t’u bërë pronarë të banesës.
Ndërsa skema e kredive me zero për qind interes synon të ndihmojë familjet që kanë të ardhura të mjaftueshme për të shlyer huanë, por pengohen nga mungesa e kolateralit ose e shumës së nevojshme për pagesën fillestare. Në këto raste, shteti parashikon të ofrojë garanci për një pjesë të kredisë, në bashkëpunim me institucionet financiare.
Kategoritë e përcaktuara në projektligj përfshijnë familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të rinjtë që sapo kanë nisur karrierën profesionale, çiftet e reja, familjet me një prind dhe fëmijë të mitur, punonjësit e shërbimeve publike dhe profesioneve prioritare, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre, si dhe qytetarët që rikthehen nga emigracioni.
Ndërkohë, subvencionimi i qirasë do të vijojë të zbatohet sipas mekanizmit ekzistues, bazuar në çmimet mesatare të tregut të përcaktuara nga bashkitë. Në rastet kur qiraja tejkalon kufirin e subvencionuar, familja do të paguajë diferencën, por kontributi i saj nuk mund të jetë më i lartë se 25% e të ardhurave familjare.
Ndryshimet synojnë të zgjerojnë alternativat e strehimit për qytetarët, duke krijuar mundësi si për përballimin e kostos së qirasë, ashtu edhe për blerjen e një banese përmes mekanizmave të mbështetjes publike.
/e.xh/a.f/r.e/