Kredia për fermerët, 3.9 miliardë lekë
Pavarësisht krizës ekonomike që shoqëroi vitin 2009, institucionet e mikrofinancës kanë vijuar t’i japin mbështetje me kredi sektorit të fermerëve. Duke qenë se bankat e kanë tkurrur konsiderueshëm masën e kredisë për bujqësinë, për fermerin zgjidhja e vetme janë institucionet e mikrofinancës, që marrin mbështetje nga organizmat ndërkombëtare, kurse nga qeveria fare pak. Kryetarja e Bordit Drejtues të Unionit të Kursim Kreditit, Zana Konini, tha gjatë asamblesë, se harta e aktivitetit për financimin e fermerëve është shtrirë edhe në dy rrethe në 2009-n, përkatësisht në Pogradec dhe Malësi të Madhe, pra në 200 fshatra. Sipas statistikave zyrtare, janë mbi 18,000 fermerë që kanë përfituar kredi, ndërsa në vitin 2010 synohet rritja e numrit të tyre. Portofoli i kredisë për këtë sektor arrin 3,9 miliardë lekë dhe depozita në vlerën e mbi 1,1 miliardë lekë.
#