E Diel, 1 Nëntor 2026

BE në panik, vullkani i Islandës po godet ekonominë

Barroso kërkon mbledhje urgjente të ministrave të Transporteve

Komisioni Europian raportoi se është duke ngritur një grup të posaçëm pune për të vlerësuar impaktin mbi ekonominë të resë së madhe të hirit të shkaktuar nga shpërthimi i vullkanit islandez, që ka paralizuar trafikun ajror të pjesës më të madhe të Europës. Burimet bënë me dije se në këtë situatë që ndodhemi duhet koordinuar me përpikëri çdo vendim i marrë brenda Bashkimit Europian. “Hiri vullkanik ka krijuar një situatë të paprecedentë. I kam kërkuar Siim Kallas, komisionerit të BE-së për çështjet e Transportit, të vlerësojë krejtësisht impaktin e situatës së krijuar nga retë e hirit vullkanik mbi ekonominë. është e rëndësishme që të gjitha masat që duhen marrë në konsideratë të koordinohen në nivel europian. Kallas duhet të vihet në kontakt me Presidencën spanjolle, me qëllim organizimin e një mbledhjeje urgjente apo një video-konference të ministrave të Transporteve”, tha Barroso. Kreu i Komisionit Europian hodhi idenë e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të ministrave të Transportit të Bashkimit Europian, me qëllimin e vetëm përballimin e pasojave që vijnë nga paralizimi i trafikut ajror.

Ndërkaq, sipas analistëve, impakti mbi ekonominë do të jetë i madh nëse kjo situatë do të vazhdojë ende. Mendohet se shumë njerëz mund t’i anulojnë pushimet, ndërsa shumë shoqëri e kompani teknologjike që kanë nevojë urgjente për furnizime mund të hyjnë në një periudhë të paprecedentë krize. Reagimi i Barrosos ka ardhur pas ankesave të kompanive për humbje prej miliona eurosh në ditë. Ekonomistët shpresojnë që gjithçka t’i rikthehet normalitetit gjatë kësaj jave, ndërkohë që në rast të një skenari më të keq, nëse kjo situatë do të zgjasë për disa muaj, humbjet në sektorin e udhëtimeve dhe turizmit mund të ndikojnë për keq në rritjen ekonomike të Europës. “Kjo do të thotë se shumë vende europiane nuk do të kenë asnjë lloj rritjeje ekonomike këtë vit”, kanë deklaruar ekonomistët. Sipas tyre, sektori i turizmit dhe udhëtimeve zë rreth 5 për qind të GDP-së botërore (rreth 3 miliardë dollarë) me Europën, që përfaqëson rreth një të tretën e kësaj përqindjeje. Vazhdimi i kësaj situate mund “të kushtojë” 5-10 miliardë dollarë në javë në këtë sektor. Megjithatë problemi më i vështirë qëndron te parashikimi i kësaj situate. Askush nuk e di, madje as meteorologët nuk japin ndonjë të dhënë të saktë. Ata thonë se kjo është ndërprerja më e madhe e fluturimeve në histori. Ky është bllokimi më i madh i hapësirës ajrore që prej sulmeve kundër Shteteve të Bashkuara, më 11 shtator 2001. Sipas ekspertëve, humbjet e kompanive ajrore i kalojnë ato të shkaktuara pas tragjedisë së 11 shtatorit. Kjo shifër shkon deri në 200 milionë dollarë në ditë, ndërsa dhjetëra mijëra pasagjerë po kërkojnë mënyra të tjera udhëtimi, ku më të preferuarat mbeten trenat ekspresë apo tragetet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›