E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredidhënësi e nxjerr në shitje Fabrikën e Bukës në Gjilan

Fabrika më e madhe prodhuese e miellit dhe e bukës në Gjilan, “Kualiteti” është në prag të shitjes nëpërmjet ankandit publik, për shkak të borxheve që pronari ka ndaj një subjekti bankar.

Zyrtarë të Gjykatës Themelore në Gjilan kanë bërë të ditur të premten se Raiffeisen Bank do ta shesë paluajtshmërinë e hipotekuar, pronë e Sylejman Deshishkut, në të cilën pronë është fabrika e bukës “Kualiteti”. Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, kjo pasuri do të shitet në ankand publik me qëllim të sigurimit të mjeteve për të përmbushur obligimet e firmës FBM “Kualiteti” të cilën e përfaqëson Sylejman Deshishku.

Vlera e “Kualitetit” sipas vendimit arrin në 5.078.090 euro , por kjo paluajtshmëri mund të shitet edhe nën vlerën e përcaktuar, por jo më lirë se ½ e kësaj vlere. Po ashtu, bëhet e ditur se tashmë Gjykata e ka caktuar 26 shkurtin, datë të ankandit.

Sylejman Deshishku, pronar i “Kualitetit”, thotë të mos jetë në dijeni me vendimin e dorëzuar në gjykatë nga Raffeisen Bank.

“Unë nuk kam ndonjë vendim të tillë, sepse ‘Kualiteti’ ka pasur një prestigj të mirë në Gjilan dhe në Kosovë, dhe nuk kemi pse të krijojmë probleme me fabrikën“, ka thënë ai.

Deshishku shpreson që e tërë kjo situatë të kalojë në favor të punëtorëve dhe të pjesës së menaxhmentit.

“Ne e kemi bërë më të mirën e mundshme që qytetarët e Gjilanit të shijojnë ushqimet kualitative”, ka thënë Deshishku, duke mos dashur të komentojë më shumë për njoftimin e gjykatës e as borxheve që thuhet se ia ka Raiffeisen Bankës.

Fabrika konsiderohet si ndër më të mëdhatë në regjion sa u përket kapaciteteve të prodhimit të bukës dhe brumërave. Problemet financiare të tashme mund t’ua rrezikojë punën afro 100 vetave. Kjo fabrikë është shitur më 2007 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›