E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e këqija, 49 miliardë lekë

Ecuria

Kreditë e pashlyera kanë vazhduar të rriten edhe gjatë këtij fillim viti. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë dëshmojnë se në tremujorin e parë të këtij viti kreditë e këqija në banka u rritën me 1.2 pikë përqindjeje krahasuar me muajt tetor-dhjetor të vitit të kaluar dhe 4 për qind më shumë krahasuar me fillimin e 2009-s. Sipas Bankës, aktualisht kreditë e pashlyera në banka janë rreth 49 miliardë lekë ose afro 490 milionë dollarë duke zënë rreth 11.46 për qind të totalit të gjithë kredive. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009, kur kreditë e këqija ishin 31 miliardë lekë, ato janë në vlerë me rreth me 58 për qind. Në dy vitet e fundit që përkojnë edhe me goditjen e ekonomisë nga kriza botërore, kreditë e pashlyera në banka gati janë trefishuar. Në këtë situatë, Banka e Shqipërisë ka detyruar bankat private që të mbajnë më shumë fonde rezervë të papërdorura si garanci për humbjet financiare që mund të vijnë nga kreditë e këqija. Sipas të dhënave zyrtare, këto fonde garancie krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2008 janë rritur me 2.3 herë. Kreditë e këqija veç gjendjes financiare të bankave, pengojnë kreditimin e ekonomisë. Për të qenë të sigurta, bankat detyrohen që të mbajnë më shumë fonde të papërdorura si garanci dhe veç kësaj, humbjet nga kreditë e pashlyera i bëjnë ato që të rrisin interesat e kredive për biznesin dhe individët.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›