BSH: Familjet shqiptare të bëjnë kujdes, emigrantët tkurrin remitancat
Familjet shqiptare duhet të jenë tepër vigjilentë ndaj zhvillimeve të krizës ekonomike në vendet ku ndodhen shumica të afërmve të tyre emigrantë.
Në raportin e saj të fundit për stabilitetin financiar, Banka e Shqipërisë vëren se dërgesat e emigranteve kanë lidhje të drejtpërdrejt me punësimin.
Rritja e papunësisë në vendet e Europës është reflektuar drejtpërsëdrejti dhe në rënien e të ardhurave nga emigracioni. Në kushtet kur në Shqipëri më shume se 60 për qind e të ardhurave nga emigrantet përdoret nga familjet për konsum, rritja e papunësisë ne vendet me emigracion të lartë të shqiptareve si në Itali dhe Greqi, jep ndikim të padëshiruar dhe të rëndë në buxhetet e tyre.
Gjatë vitit 2009, sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga emigracioni ranë me 6.39 për qind krahasuar me një vit më parë. Fatkeqësisht, Komisioni Europian ka parashikuar që edhe gjatë vitit 2010, papunësia në vendet europiane do të vazhdojë të rritet, ajo mund të fillojë të ulet vetëm pas vitit 2011.
Banka e Shqipërisë vëren në analizën e saj të fundit se dërgesat nga emigrantët mund të ulen edhe për shkak se bankat e vendeve ku ndodhen emigrantët do të rrisin ofertën e tyre për të rritur depozitat. E për pasojë, paratë që do të mund të vinin në Shqipëri do të qëndrojnë si kursimeve në vendet ku emigrantët janë, kështu që edhe pas rimëkëmbjes ekonomike të këtyre vendeve, familjet shqiptare do të vuajnë mungesën e parave nga emigracioni.
Ndaj Banka e Shqipërisë këshillon të gjitha familjet shqiptare që të përpiqen të sigurojnë burime të tjera financimi para se kjo rënie e dërgesave nga emigracioni të reflektojë rënien e konsumit të tyre. Banka mendon se edhe pse ekonomia ndërkombëtare e veçanërisht ajo europiane, ka nisur të rimëkëmbet, efekt pozitive në familjet shqiptare do të ndihet vetëm në pjesën e dytë të këtij viti, pas vendosjes në një gjendje më të stabilizuar të ekonomisë greke, si edhe pas ndikimit sezonal të turizmit.
#