E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë me probleme arrijnë nivelin 18%

TIRANE- Në fund të muajit gusht kreditë me probleme arritën nivelin 18%, duke shënuar një rritje të lehtë kundrejt një muaji më parë. Sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, tek kreditë me probleme klasifikohen ato kredi që nuk paguhen për të paktën 3 muaj radhazi.

Më tej, sipas vonesës në shlyerje, kreditë me probleme ndahen në kredi nën standarde, kredi të dyshimta dhe kredi të humbura. Pjesa më e madhe në portofolin e kredive me probleme përbëhet nga kreditë nën standarde, që janë ato me vonesë në shlyerje prej të paktën 3 muajsh.

Deri në fund të muajit Gusht, kjo kategori kishte vlerën e 46 miliardë lekëve, ose 8.9% të totalit të portofolit të kredisë. Kreditë e dyshimta, që janë me vonesë mbi 6 muaj, kishin vlerën e 20 miliardë lekëve, ose 4.9% e totalit. Gjithnjë sipas metodologjisë mbikëqyrëse, një kredi vlerësohet si e humbur nëse nuk paguhet për një vit kalendarik rresht.
´
Sipas këtij rregulli, sasia e kredive që klasifikohen si të humbura në fund të muajit Gusht ishte rreth 27 miliardë lekë, ose rreth 5.2% e portofolit të kredisë së sistemit bankar. Nga kjo ndarje mund të kuptohet se kreditë e humbura janë në pakicë dhe pjesa më e madhe e kredive me probleme janë ato nën standarde dhe që nuk i kanë kaluar 3 muaj vonesë.

Kreditë e dhëna nga bankat janë të mbuluara me kolateral në një masë që zakonisht është sa 140% e vlerës së kredisë. Siç dihet, procedurat e ekzekutimit të kolateralit janë të ngadalta dhe problematike, por në përfundim të ekzekutimit bankat përgjithësisht arrijnë të marrin mbrapsht shumën e kredituar dhe kredia e pakthyer fshihet nga bilanci. Banka e Shqipërisë gjykon se me avancimin e procedurave të ekzekutimit përqindja e kredive me probleme do të bjerë gradualisht.

Paralelisht, vitet e fundit standardet e kredidhënies nga bankat janë shtrënguar ndjeshëm, çka ul rreziqet e shfaqjes së kredive të reja problematike në të ardhmen.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›