Krejt në Ferizaj

Prej sot deri të premten në mbrëmje, qytetarët e Ferizajt do të përballen me fjalët e të gjithë kandidatëve të partive politike që garojnë për të udhëhequr komunën.
Votuesit do të kenë mundësi të dëgjojnë premtime se në Ferizaj nuk do të ketë më papunësi, varfëri, por do të ketë punë, mirëqenie, ujë, rrymë e arsim cilësor.
Krejt këto ndryshime, kandidatët për të kryetar të Komunës do t’i premtojnë se do t`i realizojnë nëse marrin besimin e qytetarëve për të udhëhequr qytetin deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, kur edhe mbahen zgjedhjet e rregullta për kryetarët e komunave.
Ende pa filluar zyrtarisht fushata elektorale, shumica e partive kanë zbarkuar në qytetin e Ferizajt dhe kanë filluar të shkojnë shtëpi për shtëpi për të kërkuar votën.
Edhe banorët e fshatrave gjatë këtyre ditëve do të kenë mundësi t’u flasin me dorë liderëve të partive politike, të cilët kanë filluar prej javësh takimet me ferizajasit.
Partitë politike kanë zgjedhur edhe sloganet klishe, me të cilat synojnë të përçojnë mesazhet te votuesit për t’i votuar kandidatët e tyre.
Slogani i PDK’së, është “Për Ferizajn Europian”, LDK’ja “Bashkë për fitore”, Vetëvendosja “Ferizaj, tregohu”, e AAK’ja “S’ka me Ferizajn”.
Ndërkohë, gjatë ditëve para fushatës zgjedhore, më së shumti në fshatrat e komunës së Ferizajt kanë qëndruar Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ndërkohë për ditën e hënë, disa parti politike kanë njoftuar votuesit se do ta hapin fushatën elektorale në Ferizaj.
PDK’ja ka njoftuar se hapjen e fushatës do ta bëjë në mesditë në Sallën e sporteve, ku do të marrë pjesë edhe lideri i partisë.
“Ftoheni të merrni pjesë në hapjen e fushatës zgjedhore, në prezantimin e kandidatit të PDK-së për Kryetar të Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu. Në tubim do të jetë i pranishëm Kryetari i PDK-së, z. Hashim Thaçi, 23 prill 2012 (E hënë) Ora 13:00. Salla e sporteve, "Bll Cinton' – Ferizaj”, thuhet në njoftimin e PDK’së në këtë qytet.
Në të njëjtin termin, fushatën e nis edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Të hënën, në ora 13 në teatrin “Adriana Abdullahu” bëhet hapja e fushatës. Në hapje do të jenë krejt Grupi Parlamentar i Vetëvendosje. Në tubim do flasin Albin Kurti dhe kandidati për Ferizaj, Faton Topalli”, ka thënë zëdhënësi Erzen Vraniqi.
E partia e dytë, LDK’ja ka njoftuar se fushatën do ta nisë në orën 14, në një restorant në periferi të qytetit.
E, AAK’ja pritet të nisë zyrtarisht fushatën më vonë se partitë e tjera. Aty nuk janë dhënë informacione se do të marrin pjesë udhëheqësit e partisë.
“Ftohen të gjithë qytetarët Ferizajas, që të marrin pjesë në hapjen solemne të fushatës zgjedhore, që do të organizohet të hënën, duke filluar nga ora 18:00, në sheshin "Adem Jashari" ne Ferizaj”.
Në njoftimin e kandidatit të AAK’së thuhet se qysh ditën parë të fushatës do të shpaloset programi i i ardhshëm qeverisës i Naim Feratit.
Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është përgatitur për t`i mbajtur zgjedhjet në Ferizaj, duke iu bërë thirrje partive politike t`iu përmbahen rregullave elektorale.
KQZ’ja ka njoftuar se as ditën e votimit nuk do të lejojë të marrin pjesë asnjë komisar që dyshohet apo akuzohet se ka manipuluar në zgjedhjet e kaluara.
Fushata elektorale zgjat pesë ditë, ndërsa të dielën do të votohet për mandatin e mbetur për kryetarin e Komunës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ferizaj mbahen pas tërheqjes së Bajrush Xhemajlit, i dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkak se kishte shkaktuar aksident në trafik, me ç’rast kishte humbur jetën një 22-vjeçar.
Kandidatët për kryetar
PDK me Agim Aliun;
LDK me Adem Salihajn;
AKR me Ramadan Hasanin;
Vetëvendosje me Faton Topallin;
AAK me Naim Feratin;
LB me Ramadan Eminin;
PD me Bujar Ademin dhe
Rrahim Sadiku, kandidat i pavarur
Fansat në Facebook
Të gjitha partitë politike në Ferizaj po e kërkojnë votën e qytetarëve edhe përmes rrjeteve sociale. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli ka mbledhur më së shumti përkrahës në Facebook me 3532 persona. Pas tij vjen kandidati i PDK’së, Agim Aliu me 2926 përkrahës. I treti radhitet Adem Salihaj i LDK’së, me 1863 shokë; Naim Ferati i AAK’së me 1345; Ramadan Hasani i AKR’së me 199; Ramadan Emini i LB’së 159; Bujar Ademi i PD’së me 79 dhe kandidati i pavarur, Rrahim Sadiku me vetëm 63 like.
Dominon tallavaja
Sikurse fushatave të kaluara, partitë politike janë përkujdesur t`i kënaqin militantët partiakë edhe me muzikë, duke filluar prej zhanrit tallava.
Qysh në ditën e parë të fushatës, simpatizantëve të PDK’së do t’iu këndojë Labinot Tahiri, Kaltrina Selimin, Ryva Kajtazin, Dj Blunt & Real1
Ndërsa atyre të AAK’së, Tuna, Visari dhe Ledri i Skillzave dhe Dhurata Ahmeti.
Partitë e tjera nuk i kanë publikuar emrat e këngëtarëve që do t`u këndojnë simpatizantëve.