Kremlini ndëshkon “besnikët” – Figurat pro-luftës në Rusi shpallen “agjentë të huaj” nga autoritetet

Moska ka nisur një fushatë të re ndëshkimesh kundër figurave që dikur ishin mbështetës të zëshëm të Vladimir Putinit dhe luftës në Ukrainë. Shumë prej tyre, që për vite morën përfitime dhe famë për besnikërinë ndaj Kremlinit, po shpallen tani “agjentë të huaj” apo “ekstremistë”.
Sipas “The Guardian”, ndër të goditurit janë analisti politik Sergei Markov, eksperti ushtarak Roman Alyokhin dhe komentatorja Tatyana Montyan, e lindur në Ukrainë. Këta persona, që dikur lavdëronin Putinin dhe ushtrinë ruse, sot po përballen me të njëjtin sistem represiv që më parë i mbronte.
Ekspertët thonë se kjo valë përjashtimesh tregon një konflikt të brendshëm brenda pushtetit rus, mes figurave të vjetra besnike ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe grupit të ashtuquajtur “Z-blogerët”, një rrjet ultranacionalist pro-luftës.
Përplasjet mes tyre lidhen edhe me paratë, pasi shumë prej këtyre aktivistëve kanë mbledhur më shumë fonde për frontin se vetë institucionet shtetërore. Analistët vlerësojnë se Kremlini po përpiqet të frenojë çdo formë mobilizimi qytetar, edhe kur vjen në mbështetje të luftës.
“Kremlini ka frikë nga çdo lëvizje e pavarur, sepse i sheh si kërcënim,” thonë analistët, pasi regjimi rus nuk duron asnjë zë që fiton ndikim jashtë kontrollit të shtetit.
Nga ana tjetër ky veprim shihet si sinjal për të gjithë mbështetësit e Putinit se askush nuk është i paprekshëm. Analistët e krahasojnë këtë valë ndëshkimesh me metodat e epokës sovjetike, ku edhe më të devotshmit mund të shpalleshin armiq.
/rtsh.al/