E Hënë, 2 Nëntor 2026

Auditi raport kritik për Luvrin – Grabitja, kambanë alarmi për sigurinë e muzeut

Muzeu i Luvrit në Francë nisi një audit sigurie një dekadë më parë, por përmirësimet e rekomanduara nuk do të përfundojnë deri në vitin 2032. Kështu u shpreh Auditi i Shtetit në një raport të përpiluar të enjten pas vjedhjes spektakolare të ndodhur atje muajin e kaluar.

Raporti thekson se muzeu dështoi të adresonte vonesat e vazhdueshme në vendosjen e pajisjeve të sigurisë për mbrojtjen e veprave të artit. Sipas atij dokumenti, deri në vitin 2024, vetëm 39% e sallave të muzeut kishin kamera.

“Vjedhja e bizhuterive të kurorës franceze në muzeun me famë botërore ishte pa dyshim një kambanë alarmi dhe ritmi i përmirësimeve të infrastrukturës së sigurisë ka qenë i pamjaftueshëm”-  tha Pierre Moscovici, kreu i  institucionit më të lartë të auditimit të Francës në një konferencë për mediat.

“Luvri ka fonde të mjaftueshme për përmirësimet e nevojshme dhe tani duhet ta bëjë këtë pa dështuar.” – theksoi ai. Sipas raportit, muzeut iu dhanë 10 rekomandime, ku përfshihet ulja e numrit të blerjes së veprave të artit dhe një rritje e çmimit të biletave.

Më 19 tetor katër persona grabitën bizhuteritë e kurorës franceze me vlerë rreth 88 milionë euro. Autoritetet deri tani nuk i kanë gjetur, por katër persona, tre prej të cilëve dyshohet se janë përfshirë drejtpërdrejt në grabitje, janë ndaluar nga policia franceze.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›