E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e Shtetit urojnë besimtarët për Pashkët

Krerët më të lartë të shtetit, kanë uruar gjithë besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve. Presidenti Topi gjithashtu lëshoi një apel për politikën për të ulur tonet e forta parazgjedhore. Kryeministri Berisha uroi besimtarët nga qyteti i Korcës ku ndodhej edhe për takime elektorale, ndërsa kryetari i socialistëve Rama mori pjesë në meshën e pashkëve në Sarandë.

TOPI
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Pashkës, por edhe politikanët, që siç u shpreh ai, "duhet të udhëhiqen nga mesazhi që përcjell kjo festë për një fushatë të qetë elektorale".

Urimi i Presidentit erdhi pas vizitës në Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale, ku kreu i shtetit deklaroi "Pashkët, vijnë në një moment delikat të jetës politike shqiptare. Uroj që të mbyllim këtë fushatë në qetësi, pasi fatkeqësisht këto ditë janë shoqëruar me disa incidente".

"Ata që vijnë dhe shprehen për rindërtim shpirtëror duhet të bëjnë një rindërtim të vlerave morale. Kemi nevojë që këtë fushatë ta bëjmë të qetë, por edhe faza përmbyllese të jetë e qetë dhe ta përcjellim me shumë besim tek njëri-tjetrit", theksoi Topi.

BERISHA
Ndërsa kreu i qeverisë, Sali Berisha ndodhej në qytetin e Korcës, ku përvec urimit për besimtarët, theksoi që është me rëndësi të festohet në ditë fushate. Berisha mori pjesë paradite edhe në meshën e paradites në kishën e Mitropolisë. “Shpreh urimet e mia më të përzemërta për të gjithë besimtarët ortodoksë korcarë, besimtarët katolikë korcarë, por edhe të gjithë besimtarët e krishterë të mbarë Shqipërisë dhe besimtarët e zotit në Shqipëri, në këtë ditë të madhe”, u shpreh Berisha.

RAMA
Kryesocialisti Edi Rama zgjodhi të bëjë urimet e tij nga Saranda, ku përvec takimeve elektorale mori pjesë edhe në meshën e mesnatës, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe kryetari i PBDNJ-së Vanjgel Dule.

TOPALLI
Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi sot besimtarët e krishterë, por edhe gjithë shqiptarët me rastin e festës së Pashkës, Ringjalljes së Krishtit, duke shprehur besimin se "kjo festë është një moment reflektimi dhe lutjeje".
Pas vizitës në Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale, Topalli u shpreh "momenti i reflektimit është për të kuptuar historinë e vendit tonë, për të gjetur se sa dhimbje ka pasur ky vend në shekuj, dhe gjatë diktaturës komuniste dhe se si ringjallja ka ndodhur 20 vitet e fundit përmes dhimbjes, optimizmit dhe shpresës, ringjalljes".
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›