E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krerët e prokurorive në Shqipëri e Kosovë diskutojnë rritjen e bashkëpunimit

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela dhe kreu i Prokurorisë Speciale, Altin Dumani u pritën të sot në një takim nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj.

Në një njoftim për mediet të Prokurorisë së Përgjithshme në Kosovë bëhet e ditur se takimi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare që delegacioni shqiptar po zhvillon në institucionet e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, me ftesë të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Delegacioni nga Shqipëria përfshinte përfaqësues të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë, ndër ta: Altin Dumani, drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK); Arens Çela, drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë; Adnan Xholi, drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit; Elion Mustafaj, drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier; Rozeta Tase, këshilltare në Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë; dhe Ada Heqimi, koordinatore për media në SPAK.

Në fjalën e mirëseardhjes, kryesuesi Hajdaraj vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy sistemeve prokuroriale, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira profesionale dhe forcimin e pavarësisë funksionale të prokurorisë, si dhe rritjen e efikasitetit në ndjekjen penale të veprave penale.

Ai informoi delegacionin shqiptar për zhvillimet më të fundit në sistemin prokurorial të Kosovës, përfshirë proceset reformuese, avancimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe integritetit, si dhe sfidat në zbatimin e politikave strategjike për forcimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes prokuroriale.

Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, theksoi se kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë së dy vendeve, me synim forcimin e partneritetit strategjik dhe harmonizimin e praktikave prokuroriale në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.

Në përfundim të takimit, delegacioni nga Shqipëria vizitoi muzeun “Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova”, ku u njoh nga afër me historinë më të re të Kosovës.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›