Krerët e shtetit i bashkohen festimeve të Fiter Bajramit. Berisha: Sakrifica e besimtarëve, frymëzuese për të gjithë njerëzit

Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha vizitoi sot në mesditë, selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me rastin e festës së Fiter Bajramit. Kryeministri Berisha u prit nga Kryetari i këtij Komuniteti Haxhi Selim Muça, drejtues të tjerë dhe shumë besimtarë, të cilëve iu uroi këtë Ditë, duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që agjëruan, si dëshmi e gatishmërisë së tyre për sakrificën në emër të Zotit dhe të shndërrimit të saj në një mirësi për veten, familjen, shoqërinë shqiptare. Më pas, Kryeministri i përcolli mesazhin e urimit të gjithë besimtarëve myslimanë, por edhe të gjithë besimtarëve të besimeve të tjera, duke theksuar se sakrifica e besimtarëve, është frymëzues për të gjithë njerëzit. “Jemi këtu sot për tu përulur me nderim të madh ndaj të gjithë atyre grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, besimtarëve mysliman, të cilët në një akt përkushtimi ndaj Zotit, agjëruan muajin e Madhërueshëm të Ramazanit dhe e kurorëzojnë sot me këtë ditë të bekuar. Vendimi i tyre për t’ju përkushtuar dhe nderuar Zotin në këtë verë kaq të nxehtë, për të sakrifikuar dhe privuar veten nga pika e ujit, është frymëzues për të gjithë njerëzit. Nuk ka përkushtim më epror dhe më të parë, se përkushtimi i njeriut ndaj Zotit. Ndaj dhe le të urojmë sot të gjithë besimtarët e Zotit gëzuar këtë ditë, ditët e nderimit të sakrificës. Gjithçka ndërton njeriu nga vitet më të hershme të fëmijërisë dhe në vazhdim të gjitha mirësitë, të gjitha ëndrrat që ai realizon kanë në themel sakrificën e tij, sakrificën e familjes së tij, sakrificën e njerëzve të tij. Ndaj dhe nderimi për sakrificën është nderimi për arritjen, është nderimi për ndryshimin, është nderimi për të mirën dhe mirësinë. Ndaj dhe njëherë le të urojme gëzuar, të urojmë që Bajramin tjetër ta festojmë më mirë, ta festojmë më të begatë, me të lirë, më të sigurt, siç e meritojmë. Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo që janë”- përcolli urimin e tij kryeministri Berisha.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani: Bashkëjetesa fetare, virtyt i shqiptarëve
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka uruar sot gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit, duke u shprehur se ndjehet i nderuar për urimin e parë si President.
“Ky është një rast për të festuar kur myslimanët bashkohen. Uroj për më shumë paqe, tolerancë, harmoni,begati e shëndet”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.
Presidenti theksoi më tej se populli shqiptar duhet të ruajë më tej virtytet e tij njëri prej të cilëve është bashkëjetesa dhe harmonia mes besimeve fetare. “Populli ynë ka një nga virtytet e mëdha, bashkëjetesën fetare. Të ruajmë besimin, ta përmirësojmë në raport me njëri-tjetrin”, theksoi ai.
Kryetarja e Kuvendit, Topalli: Të ndihmojmë ata që kanë nevojë më shumë
“Dita kur gjithsecili mendon për ata që kanë më pak dhe që kanë nevojë për më shumë ndihmë”. Kështu e ka përkufizuar festën e Fiter Bajramit kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në mesazhin drejtuar të gjithë qytetarëve në ditën e bekuar të Bajramit, duke e konceptuar si një mesazh vlerash për gjithë shoqërinë tonë. “Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, përzemërsisht dëshiroj t’ju uroj gëzuar dhe për shumë vjet Fiter Bajramin. Katër javë që kaluan ishte koha ku secili sakrifikonte me devotshmërinë e vet të thellë e me besim të madh, e në mënyrë të veçantë duke i shërbyer atyre që janë më me pak fat sesa të tjerët. Në fakt kjo është një ftesë, një mesazh për çdo qytetar shqiptar të të gjitha besimeve fetare që çdo ditë, në çdo moment të mendojmë pë ata që kanë më pak, që janë të sëmurë dhe që janë më të margjinalizuar. Sigurisht që kjo është një obligim për të gjithë qytetarët shqiptar të të gjitha feve për t’i shërbyer njëri tjetrit kur ne kemi nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e gjithë secilit. Edhe njëherë me zemër ju uroj gëzuar qytetarëve shqiptar, atyre që jetojnë në Shqipëri, atyre që janë në emigracion, atyre që janë në Kosovë, Maqedoni dhe në të gjitha trojet shqiptare duke besuar se gëzime më të mëdha, jetë më të mirë, më të lirë, më të mirë ekonomikisht dhe më të lumtur me njëri tjetrin do të kemi në të ardhmen”- tha ajo.
Më tej Kryeparlamentarja e mbylli urimin duke uruar për një Bajram 2013 më të mirë, më shumë dashuri, shëndet dhe mirëqenie për të gjithë besimtarët në të gjitha trojet, ndërsa nuk ka harruar të ndajë urimin edhe me gazetarët në këtë ditë të shënuar për myslimanët.