E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreshnik Spahiu padit KLD për 2100 euro

TIRANË- Kreshnik Spahiu, kryetari i partisë Aleanca Kuq e Zi, padit në Gjykatën e Tiranës, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucionin që drejtoi për disa vite me radhë. Ish - nënkryetari i KLD-së kërkon shfuqizimin e një akti administrativ që Këshilli ka nxjerrë ndaj tij. Padia e Spahiut ka si objekt “shfuqizimin e aktit administrativ urdhrit nr.799 prot datë 14.05.2012 ‘për zhdëmtimin e shpenzimeve për udhëtim e dieta jashtë shtetit. Pezullimin e aktit administrativ”. 

Në fakt, pak ditë më parë në adresë të kreut të Aleancës ka mbërritur një urdhër sipas të cilit, ai duhet t’i kthente një shumë prej 2100 eurosh Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që pretendohej se i kishte shkaktuar dëm, për shkak të shpenzimeve të kryera për udhëtimet jashtë vendit dhe dietat. Ish - nënkryetari i Këshillit nuk ka pranuar asnjëherë, edhe në kohën kur u ngrit komision hetimorparlamentar që hetoi punën e Spahiut në krye të KLD-së, nuk pranoi të kishte abuzuar me detyrën. 

Madje ishte komisioni ai që vuri theksin tek udhëtimet e z.Spahiu jashtë shtetit të paguara me buxhetin e KLD-së, por që nuk kishin të bënin aspak me këtë institucion. Duke e cilësuar urdhrin si të padrejtë, pavarësisht shumës minimale vetëm prej 2100 eurosh, z.Spahiu ka vendosur të padisë në gjykatë Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
(Shkrimi sot në Gazeta Shqiptare)
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›