E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kreshnikët” që po tkurren çdo ditë

29-10-2012 / Nga Erenik S. Peka

Nuk është fjala këtu për “kreshnikët e Jutbinës” që kanë pasuruar “Visaret e Kombit” me legjendat e Mujos e Halilit. Është fjala për një kreshnik që vetëm emrin ka të tillë. Por është edhe një “kreshnik” tjetër në Kosovë, ngjajnë shumë, si për lumë. Kemi mbetur mjaft të çuditur, kur para disa kohësh, ky Kreshnik Spahiu i ynë, sapo doli nga Komisioni i ligjeve që ishte thirrur për t’u pyetur për shkelje të rënda gjatë kohës që mbante detyrën e NKryetarit të KLD, plot “shend e verë” si i thonë shkodranët, u mbështuall me Flamurin Kombëtar pikërisht përpara Parlamentit të Shqipërisë. Çfarë përdhosje e Flamurit! Se çfarë heroizmi kishte bërë ky njeri, deri sot nuk u mor vesh. Flamurin Kombëtar e ngriti Skënderbeu në Kalanë e Krujës në 1443 përballë pushtuesve turq por nuk është thënë se u mbështuall me këtë flamurë. E ngriti Ismail Qemali kur shpalli Pavarsinë e Shqipërisë me 28 Nëndorë 1912, por nuk është thënë se u mbështuall me simbolin e kombit së bashku me Isa Boletinin. Nuk e kemi parë as edhe Azem Hajdarin, që në krye të lëvizjes studentore përmbysi diktaturën komuniste, të bëjë një gjest të tillë. Nuk e kemi parë as Sali Berishën liderin e demokracisë në Shqipëri të mbështillet ndonjëherë me Flamurin Kombëtarë. Po, i kemi parë këta burra të përkulen përpara simbolit të kombit, të puthin flamurin, të bien në gjunjë përpara flamurit dhe të qajnë me lot ndoshta. A mos vallë na qenka ky Kreshniku ynë më i madhi i të gjithë këtyre burrave që përmenda më sipër? Sigurisht kur vdesin figura të ndritura të kombit, është një rit që mbështillen me Flamurin Kombëtarë në shenjë respekti për veprën e tyre. Por Kreshniku është gjallë, i shëndoshë si kokrra e mollës.
       Veprimet e Kreshnikut nuk janë lëvizjet e një politikani që ka një qëllim, ka një alternativë, ka një vizion për qeverisjen më të mirë të këtij vendi. Ngjan më tepër si patericë e Edi Ramës, bishti i zgjatur i një farë G99 i Erion Velisë që u shua pa lavdi. Si një egoist i etur për pushtet në fillimet e para të formimit të partisë së tij kuqezi, e mori me shumë “yrysh”. Rrëmbeu “ushtën dhe çomangen” si Don Kishoti i Serventesit që kërkonte të kthente Mesjetën, Kreshniku do të bënte bashkimin kombëtar. Ashtu si Don Kishoti, shikonte ëndrra hipur mbi Rosinantin e tij të famshëm, dhe vërtitëte jo shpatën se nuk është i zoti ta ngrejë, por gjuhën si brisk, duke sharë qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë, me rrënjë e me degë, Sali Berishën e Hashim Thaçin. Nuk dihet mirë se ku i gjente paratë që të bënte mitingje edhe në kryeqytetet e Europës dhe Amerikës duke i rënë daulles së “nacionalizmit alla Kreshnik”. Gojët e liga thonë se shumë para bëri grumbull me Topin nëpërmjet KLD. Në fillim plani ishte të formonin së bashku “partinë që të rrëzonin Berishën”. Në këtë aventurë donkishoteske do të bëheshin palë me skizofrenin e Partisë Socialiste që edhe atij si Don Kishotit të Mançes i ka marrë koka erë të bëhet kryeministër i Shqipërisë. Por u ngatërruan se kush do të ishte i pari, si ajo fjala “unë aga e ti aga, po gomarin kush e mba” në partinë e tyre. Se sa për “gradat e ofiqet” që do të shpërbleheshin në qeverinë socialiste, do të mendonte Usta Rama. Dhe u ndanë Topi e Spahiu, sa për formë, se brumi ishte i njëjtë. Pa asnjë fjalë, asnjë ligj nuk mundet të merrte Parlamenti pa miratimin e Kreshnikut. “Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që Presidenti të zgjidhet ashtu si dëshiron Berisha” do të deklaronte Spahiu. Po si do ta pengonte zbatimin e Kushtetutës kreshniku i vogël, deri sot nuk u muar vesh. E shohim kudo Kreshnikun. Digjni kudo flamujt e Partisë Demokratike, kudo në ndërtimet pa leje, bën thirrje Kreshniku. A thua se nuk e kupton ky njeri që ka humbur nga fiqiri, se kjo është thirrje antikushtetuese. Ky është juristi i përzgjedhur i KLD që nuk e kupton se janë në Shqipëri 340 mijë ndërtime pa leje dhe nga ana tjetër rreth 100 mijë antarë të Partisë Demokratike, që edhe 100 mijë kreshnikë si kreshniku nuk durojnë të preket simboli i tyre për demokraci. Kreshniku, nuk lë nevojtore pa i futur hundët, mjaft që t’i pëlqejë Edi Ramës, që pak më vonë të bëhet deputet. Ka shkuar në “grevën e urisë” të ish të përndjekurve politikë, duke u jargavitur dhe duke qarë “me lot përpjetë për ato që u bëri Saliu”.
Kreshnikun e kemi parë të kërkojë të kalojë forcërisht doganën e Morinës me ushtrinë e tij “stërmadhe” dhe t’i shkojë në ndihmë Albin Kurtit dhe së bashku “të luftojnë kundër padrejtësisë së ndërkombëtarëve me në krye Amerikën, se këta armiq të kombit shqiptarë e çliruan Kosovën”. Të bie ndërmend ajo kënga e komunistëve “Dy luanë që ka bota, jë Azia një Europa,Enver Hoxha e Mao Ce Duni,janë si buka e një brumi”. Të tillë na qenkan edhe Albini e Kreshniku. Ata (Albini e Kreshniku) do ta kishin çliruar Kosovën edhe më parë se NATO. Po ku ishte Albini që nuk e hodhi një fishek në luftën e Kosovës dhe tani bën “të fortin” duke u përleshur me policinë kosovare që të hyjë deri edhe në Kryeministri, duke imituar Edi Ramën me maskaradën e 21 Janarit në Tiranë? Thotë se paska qenë në burgun e Serbisë, por se në çfarë rrethanash u gjend atje, akoma nuk dihet. Por një gjë dihet se Albini fliste nga burgu si bilbil për mediat e ndryshme ndërkombëtare, si të ishte në një kamp pushimi dhe shante serbët me rob e robinë pa ju trembur qerpiku. A thua vallë do ta lejonin kaq lehtë serbët, ndërkohë kur në Kosovë edhe foshnjet e djepit i thernin si berret me bajonetë? Albin Kurti e quan Komandantin legjendarë të UÇK, Kryetarin e delegacionit të Kosovës në Rambuje, “Thaçizmja” (shih gazeta Panorama 25.Tetorë 2012). Hashim Thaçi është Kryeministër i Kosovës, një luftëtar i madh që ka udhëhequr luftën e popullit të Kosovës në fushën e luftës dhe atë diplomatike për liri dhe pavarësi nga Serbia.                                 
Ndërkohë Albin Kurti, pas luftës u kthye si trim fitimtarë në Kosovë,si kofini pas të vjeli,i vetëm kundër të gjithëve po sidomos kundër institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Edhe ky Albini, ashtu si Kreshniku ynë me veprime donkishoteske, i shpalli luftë Europës dhe Amerikës, kundër KFOR dhe UNMIK. Duke keqpërdoruar dëshirën e madhe të popullit të Kosovës por edhe të Shqipërisë për bashkimin e kombit, “dy kreshnikët” mundën të mashtrojnë me slogane nacionaliste një pjesë të popullit. Në Kosovë Albin Kurti arriti të hynte në Parlamentin e Kosovës me disa deputetë.
Por siç duket tani “kreshnikët” tanë janë rrudhur dhe janë bërë si ato dardhat që i zë acari i dimrit. Tubimet e tyre gjithnjë e më të rralla, bëhen me disa njerëz që mundet t’i numërosh me gishtat e dorës. Si në Shqipëri dhe në Kosovë, janë dy parti politike që çdo ditë e më tepër po tkurren. Populli nuk po i ndjek aspak në aventurën e tyre donkishoteske kundër interesave kombëtare. Kreshnik Spahiu po i ngjet Haxhi Qamilit, “si duam Babën”dhe “ndjenjat e tij nacionaliste” tani të dalë boje nuk mundet të gënjejnë askënd në realitetin e ri,të Shqipërisë dhe të Kosovës në Europë. Idiotizmi i tij arriti kulmin kur organizoi nja 15 rrugeçër në Bruksel gjoja në emër të AK me disa flamuj, ku kërkonin që “Shqipërisë mos t’i jepej statusi e vendit kandidat për në BE pa e larguar Berishën nga pushteti”. Sipas një shkrimi nga Brukseli që bën miku im Eden Babani që ishte dëshmitarë okular, ndërmjet këtyre 15 protestuesve ishte edhe një afrikan. Shikoni çfarë hipokrizie! Po afrikani çfarë deshi aty? Janë disa ndoca njerëz të mashtruar dhe të paguar por kjo aventurë nuk mundet që të vazhdojë gjatë. Edhe Edi Rama që është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me djallin kundër Berishës, tani e ka kuptuar dhe po i shpërfill dukshëm edhe Kreshnikun, edhe Topin. Në Kosovë, Albin Kurti çdo ditë e më tepër po injorohet nga populli i Kosovës dhe ka humbur terren. Koha e “nacionalizmit alla Kreshnik” ka perënduar si rrymë mesjetare politike. Populli shqiptar nuk mundet të bashkohet me idiotësitë donkishoteske të Kreshnikut dhe Albin Kurtit. Kombi e ka të artdmen e tij i bashkuar në familjën europiane.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›