Welcome, zonja e madhe Klinton!
Lajmi për vizitën e zonjës Kliton në Shqipëri dhe Kosovë nuk thjeshtë një vizitë diplomatike por përfaqëson një moment politik, diplomatik, historik për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit. Me të vërtetë Kosova sot është e pavarur, Shqipëria përfaqëson një faktor stabiliteti politik dhe ekonomik në rajon, por realizmi i projektit përfundimtarë i stabilitetit dhe integrimit të Ballkanit jug-perëndimorë në BE, kërkon edhe pak kohë dhe shumë lëvizje politike e diplomatike, pasi në këtë rajon akoma forca antidemokratike dhe mafia rajonale që janë të interesuara për destabilitet dhe krijimin e problemeve ndëretnike, me qëllime të vjetra ekspansioniste të cilat ndikojnë në zhvillimin, integrimin dhe stabilitetin e rajonit tonë i lodhur nga luftërat dhe krizat politike dhe ekonomike gati për 100 vjet.
Është hera e katërt që një sekretarë shteti amerikan viziton Shqipërinë. Në 1991 Shqipërinë e vizitoi Xhejms Bejker, në vitet e vështira 1997-1998 e vizitoi Medlin Ollbrajt, në vitin 2003 e vizitoi Kolin Pauell dhe së fundi në këtë vit historik për neve vjen zonja Klinton.
Dihet nga të gjithë tashma roli mitik, i SHBA në krizën e Kosovës dhe roli shumë i rëndësishëm i ish-presidentit Klinton për Kosovën dhe të gjithë rajonin. Roli i madh i Klintonëve i kësaj familje të madhe, për themelimin e demokracisë së vërtetë, lirisë dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri dhe Kosovë ka qenë i madh. Kontributi i Bill Klinton dhe stafit të tij u cua përpara me shumë përpjekje dhe vullnet të mirë nga administrata Bush dhe zonja Kondi Raiz. Politika e SH.B.A-ve me Kosovën dhe rajonin tonë ndryshon shumë pak vetëm në terma. Kjo politikë siguron ruajtjen e territorit të Kosovës të paprekur, zhvillimin e saj demokratik dhe ekonomik. Edhe për rajonin politika e jashtme amerikane me partnerët e saj synon zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit dhe integrimin në B.E.
Vizita e zonjës Klinton është një vizitë pune në rajon, gjithashtu ka edhe natyrën politike mbasi pas pak ditësh në SHBA do të jenë zgjedhjet për presidentin e ardhshëm të SHBA-ve. Natyrisht edhe për neve është fillimi i një stine zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme në 2013. Por politika e Amerikës në të gjitha rastet është e njëjtë. Demokratët dhe republikanët kanë pothuajse të njëjtat opsione për Kosovën dhe rajonin tonë. Vizita e zonjës Klinton është edhe një mbështetje për qeverinë Berisha dhe koalicionin qeverisës, falë reformave politike të ndërmarra nga kjo qeveri dhe politikës së jashtme në konkordancë me shtetet e Bashkuara dhe BE. Takimet e protokollit të zonjës Klinton me Presidentin Nishani, Kryeministrin Berisha dhe zotin Rama, kryetarin e opozitës, tregojnë paanshmërinë e politikës amerikane dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme dhe respektimin e institucioneve qeverisëse të dala nga zgjedhjet e lira dhe të opozitës e cila ka edhe ajo një rol të madh në demokraci.
Shpresoj se këshillat dhe vizita e zonjës Klinton do të ndikojë në ndërgjegjësimin e opozitës shqiptare, për të votuar pjesën e mbetur të rekomandimeve të BE dhe votimin në parlament, për marrjen e statusit kandidat në Dhjetor. Vizita e zonjës Klinton zhvillohet gjithashtu në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe do të jetë një ogur i mirë për të gjithë shqiptarët kudo që janë në këtë eveniment të rëndësishëm të krijimit të shtetit shqiptarë. Vizita e zonjës Klinton dhe vizita historike e zotit Bush në 2007, tregojnë qartë mbështetjen e politikës amerikane në të gjithë historinë tonë që në momentet më të vështira të ekzistencës tonë, kur presidenti Uillson e shpëtoi Shqipërinë nga një rindarje mes fqinjve dhe kombin shqiptarë dhe Shqipërinë nga zhdukja në hartë në konferencën e Versajës në fillim të shekullit të njëzetë. Shqiptarët kudo që janë duhet të jenë mirënjohës politikës amerikane dhe popullit amerikan dhe përshëndesin me një Mirëseardhje të madhe zonjën Klinton, në vizitën e saj më datën 1 Nëntor.