E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjeshtë në tokat shqiptare

Diku, në një nga intervistat e tij, Arbër Xhaferri thotë se “njerëzimi kujton idealistët si Don Kishoti dhe jo realistët si Sanço Panço”. A është Albin Kurti një Don Kishot? Mbase. Ka vite që nuk kalon ditë e javës të mos kemi një lajm nga lëvizja e tij. Me fantazi në aksionet e tyre, tërheqin objektivin e kamerave. Nuk mund të akuzohen për burracakë. Çdonjëri prej udhëheqësve të “Vetëvendosjes” është në aksion. A mos ndoshta ky aksion kthehet në një protagonizëm të sforcuar, i cili e lodh shikuesin? Gjithçka ndodh. Por deri më sot, Albin Kurti dhe njerëzit e tij kanë arritur disa objektiva. Janë partia e tretë në Kosovë dhe e vetmja që të ngjall kureshtje se çfarë rezultati elektoral do ketë në të ardhmen. Brenda një kohe të shkurtër kanë arritur t’i heqin zmaltin ish-liderit të UÇK-së, Hashim Thaçit, duke ndihmuar në zbehjen e një miti, e përafruar gjithmonë e më shumë jetën politike të Kosovës me atë të një shteti normal. Një parti historike si LDK-ja, tashmë duket relike për muze. Ku e ku virulenca e Kurtit me qetësinë akademike të Mustafajt. Albin Kurti nuk tjerr fjalë. Është politikani më konkret i trevave shqiptare. Bllokimi i pikave kufitare ndaj mallrave serbe ishte kontributi më i prekshëm për bashkimin shqiptar. Nëse nuk do ketë bashkim ekonomik, ai politik mbetet llogje Kavaje. Ish-luftëtarët e dikurshëm ndaj pushtimit serb, sot janë deputetët e pagojë në Parlamentin e Kosovës dhe tregtarët e suksesshëm të mallrave me armikun e dikurshëm. “Paraja nuk ka erë” i tha dikur të birit Perandori romak Vespasjani, kur ky e qortoi pse kishte vënë taksë mbi banjat publike. Ngjan se për disa parja nuk ka as qibër. Por ndërkohë autostrada që lidh dy vende dhe një popull është e zbrazur, ku kalon ndonjë kamion në të rrallë. Ndoshta për shkak të qenies në opozitë, Kurti nuk ndruhet të deklarojë bashkimin kombëtar. Shkon dhe në kufirin shqiptaro-grek për të vendosur lule për çamët e vrarë në genocid. Veprim bukur i goditur. Tani as shqiptarët e Kosovës nuk janë më vetëm, por as ne po ashtu. Një shuplakë për politikën e ndarjes në toskë e gegë që po nxit fshehtas Berisha. “Vetëvendosja” kritikohet nga ndërkombëtarët për andrallat që iu krijon dhe akuzohet si aventuriere. E ndërkohë të gjithë e dinë që jemi një komb i ndarë, por nuk u dashka të nxitohemi. Ani bre Albin. Terrorist kanë quajtur edhe “Sin Fein”-in irlandez, “Irgun”-in hebre, OÇP-në palestineze, por në fund me ata janë ulur e kanë negociuar. Për disa je terrorist e irredentist, për të tjerët patriot. Ti mos u tut.
****
Ministri i Jashtëm serb bëri një vizitë në Tiranë. Ngjante e sforcuar, pasi as që kishte axhendë ai vetë dhe as këta që e pritën. Me sa duket ishte presioni i BE-së që vendet të afrohen, për të krijuar tualetin që mbulon rrudhat nacionaliste. Goxha make-up për nxënësit e Milosheviçit dhe një rast për Tiranën zyrtare që të tregohet e zellshme në rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon. Dhe qeveria e Berishës nuk e hapi sqepin të flasë për Kosovën kur duhet dhe ku duhet. E bën këtë vetëm në ndonjë miting me fshatarë të roitur, që e duartrokasin Berishën në deklaratat e tij nacionaliste në tubimet nën shi. Tirana duhej t’i thoshte se meqë erdhe, duhet të kesh parasysh të fillosh bisedimet me Kosovën; se po nuk e patët mirë me ata, e keni keq edhe me ne; se presim që të na kërkoni falje për sa keni vrarë e prerë në atë tokë, duke filluar nga ne, shteti nënë, dhe duke përfunduar tek ata. Nëse serbët nuk e kanë kuptuar se kanë njëqind vjet shpërngulje, genocid e vrasje të bëra ndaj shqiptarëve, kot që vijnë. Nëse nuk bëhet katharsisi historik, historia është e destinuar të përsëritet.
****
Kryeministri maqedonas e ka trashur së fundmi zërin me faktorin shqiptar atje. Kush ka lexuar historinë e marrëdhënieve shqiptare me maqedonasit, e mban mend se sllavët e Vardarit kanë qenë më të këqij se serbët. Kujt i ka takuar të udhëtojë në FYROM para vitit 2000, kujton fodullëkun e policit maqedonas. Një shtet që prodhon vetëm birrë të thartuar dhe mbahet me të ardhurat e emigracionit shqiptar, goxha kurajo ka të mos negociojë politikisht me përfaqësuesit e tij. E vërtetë që janë të përçarë mo Zot ma keq. Por është e detyra e Tiranës të punojë për bashkimin e tyre. Ndërsa sllavëve të Vardarit t’i çojë sinjal se ose duhet të konsiderojë shqiptarët dhe t’i trajtojë si të barabartë, ose çështje të tilla si ndarja e Maqedonisë, me pak marrëveshje me Sofjen zyrtare, mirëkuptim të BE-së dhe me gëzimin e Greqisë, nuk janë tabu dhe mund edhe të përfundojë shtet fantazmë.
****
Ish-presidenti grek Stefanopulos zbuloi Korçën greke. Është po Arbër Xhaferi, që në një analizë aspak tendencioze, shpjegon se kriza e Greqisë ndër shkaqet e saj ka edhe tejshtrirjen territoriale në toka të huaja të një kombi të rrallë në numër dhe të varfër në resurse. Por Stefanopulos, në vend të fillojë të bëjë llogaritë me krijuesin, ngutet të lerë sherrin mbi tokë. Asnjëherë nuk i kanë munguar Greqisë mendjet e mençura, sikurse nuk ka vuajtur për ato të çmendura. Do rrojmë e do dëgjojmë. Kur megalomanisë i shtohet edhe uria, halucinacionet janë të fandaksura. Duket se edhe neonazistët e “Agimit të Artë” kanë vendosur të festojnë në Këlcyrë ditën e “Jo”-së, kur Metaxa-i (Kryeministri, jo konjaku) kundërshtoi ultimatumin italian. Ka ardhur koha që ashtu siç bëri policia kufitare greke me deputetin çam të Parlamentit shqiptar, të bëjë edhe ajo shqiptare me talebanët e Athinës. Të mos e ushqejnë policinë vetëm për të rrahur opozitën.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›