Kreu i AMA-së reagon për dhunën ndaj gazetarëve: Të garantohet siguria e medias në terren

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive ka reaguar pas raportimeve për lëndimin e gazetarëve dhe vështirësitë e ekipeve të medias gjatë protestës së sotme në Tiranë.
Ajo u ka uruar shërim të shpejtë kolegëve të lënduar dhe i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të tregojë vëmendje të veçantë për sigurinë e gazetarëve gjatë raportimit nga terreni.
Reagimi i plotë:
‼️Me shqetësim kam ndjekur raportimet për lëndimin e gazetareve dhe gazetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet e medias gjatë raportimit nga protesta e sotme në Tiranë. Pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u informova se kolegët e lënduar nuk ndodhen më në ambiente spitalore. U uroj shërim të shpejtë dhe shpreh solidaritetin tim me të gjithë kolegët që po raportojnë nga terreni.
📌Në cilësinë e Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e krijimit të kushteve të sigurta për gazetaret, gazetarët dhe operatorët, si dhe të garantimit të ushtrimit të lirë të detyrës së tyre, veçanërisht në situata tensioni.
📢U bëj thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj ekipeve të medias, ndërsa inkurajoj Policinë e Shtetit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurisë së tyre gjatë raportimit.
‼️Gazetaret dhe gazetarët në terren kryejnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut. Puna e tyre meriton respekt, mbështetje dhe mbrojtje.