E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Ekzekutivit: “Thirrjet për rritjen e taksave janë shkatërruese për sipërmarrësit”

13-11-2012 / Gazeta 55

Kreu i mazhorancës i bën apel institucioneve financiare për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në lançimin e Rrjetit Evropian të Ndërmarrjeve në Shqipëri kryeministri Sali Berisha ri-përsëriti edhe një herë se do të vazhdoj politikën e uljes së taksave. Sipas kreut të mazhorancës Shqipëria po fakton se është Kina e vogël e këtij rajoni. “Nëse ka një leksion që ne mund të mësojmë nga sipërmarrja e vogël dhe e mesme evropiane është vlerësimi, investimi, inkurajimi në zhvillimin e këtij dimensioni si një nga kushtet më përcaktuese të suksesit në vazhdimin të sipërmarrjeve”- tha Berisha. Kryeministri gjithashtu garantoi biznesin se qeveria do të bëjë gjithçka për të ulur barrën fiskale dhe burokracitë për ta. “Çdo thirrje për rritje taksash është shkatërrim për vendet e punës. Çdo nivel takse që rritet shkatërron me qindra dhe mijëra vende pune. Historia  e zhvillimit është kjo: Nuk është shteti krijuesi më i mirë i vendeve të punës. Kostoja  e vendeve të punës e krijuar nga sektori publik dhe shteti është disa herë më  e lartë se kostoja  e vendeve të punës e krijuar në sektorin privat. Ndaj dhe shfrytëzoj edhe një herë këtë platformë të siguroj edhe një here biznesin shqiptar dhe atë të huaj se jo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash , por që do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë se paratë në kontot tuaja janë më të vlefshme për secilin nga qytetarët dhe shoqërinë shqiptare, sesa në arkën publike. Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë dialogun konstant për të zgjeruar më tej lirinë  e tregut, për të lehtësuar më tej kushtet e veprimtarisë së sipërmarrjes private në tërësi, dhe në mënyrë të veçantë të sipërmarrjes së vogël dhe të mesme, e cila mbetet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara gjeneratori kryesor i vendeve të punës”- deklaroi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare i bëri thirrje institucioneve financiare ndërkombëtare të rrisin mbështetjen financiare për biznesin e vogël dhe të mesëm, si rruga më e mirë për të ndihmuar Shqipërinë. Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se është i pakuptimtë hezitimi i sistemit bankar, në një kohë kur perfomanca e tyre është pozitive në përballimin me sukses të efekteve të krizës. “Unë i bëj thirrje Komisionit Evropian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare të rrisë më tej mbështetjen financiare për biznesin e vogël dhe të mesëm, si rruga më  emirë për të ndihmuar Shqipërinë. Shoh që sot ka një lloj hezitimi nga sistemi bankar, i cili ka merita të mëdha për performancën që ka dhe përballimin me sukses që i ka bërë kësaj krize, por disa rregulla të diktuara jo nga realiteti i tregut në Shqipëri, imponojnë një vetëpërmbajtje në kreditim, çka e bën jetike për ne ndihmën më të madhe, nga Komisioni Evropian, Banka Botërore, BERZH, Banka Islamike për Zhvillimin institucione të tjera financiare ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm”- theksoi kryeministri Berisha. I pranishëm në këtë aktivitet ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi deklaroi se pjesëmarrja e Shqipërisë do të ndihmoj që SME -të të integrohen në tregjet e huaja. “Bashkimi Evropian e mirëpret Shqipërinë në këtë rrjet. Kjo do të ndihmoj ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të integrohen sa më shpejt në strukturat evropiane. SME -të janë të rëndësishme pasi kanë të  punësuar një numër të konsiderueshëm të personave dhe integrimi i tyre në tregjet evropiane do të jetë një mbështetje për ekonominë. BE ka dhënë rreth 2.2 milion euro që këto ndërmarrje të jenë konkurruese dhe ti bashkohen inovacioneve teknologjike”- tha Sequi. Rrjeti Evropian i Ndërmarrjeve (Europe Enterprise Netëork - EEN), anëtare e së cilit është tashmë edhe Shqipëria, është më i madhi në botë i shtrirë në mbi 51 shtete, përbëhet nga 600 organizata të BE dhe ka si qëllim të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të shfrytëzojnë në maksimum mundësitë e biznesit brenda Bashkimit Europian. EEN ndihmon kompanitë të përmirësohen dhe të inovojnë, duke bërë partneritete, shkëmbim informacioni, këshillim dhe ekspertize. Ky rrjet asiston kompanitë e vogla dhe të mesme në gjetjen e partnerëve të duhur dhe synon zhvillimin e sipërmarrjes nëpërmjet implementimit të inovacionit. EEN i mundëson kompanive të kenë akses në zgjidhje konkrete dhe efektive drejt nevojave të tyre të biznesit me këdo partner që kontaktojnë. Database që përmban rrjeti ka mbi 7000 profile kompanish, ku secili biznesmen shqiptar mund te gjeje një partner te mire potencial për biznesin e tij. Në muajin prill, Shqipëria është pranuar si anëtare e Rrjetit Evropian të Ndërmarrjeve e përfaqësuar nga një bashkim i 4 institucioneve: AIDA, Agjencinë e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI), Unioni i Dhomave të Tregtisë (UCCIAL), Rrjeti i Agjencive të Zhvillimit Rajonal (ARZH).

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›