E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Të zbatojmë prioritetet e Komisionit Evropian

13-11-2012 / Gazeta 55

Tryeza për reformën në drejtësi - kreu i shtetit, Bujar Nishani mbledh drejtuesit e institucioneve 


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani thërriti dje në një tryezë të rrumbullakët një sërë drejtuesish të institucioneve kryesore pjesë përbërëse të sistemit të drejtësisë. Tematika e tryezës u përqendrua tek reforma në sistemin gjyqësor, si dhe sfidat që burojnë nga rekomandimet në Raport Progresin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë për vitin 2012. Kreu i shtetit në fjalën e tij kërkoi angazhim serioz në zbatimin e tyre, përmes një koordinimi dhe bashkëpunimi për reformën në drejtësi. Ai i bëri apel politikës për miratimin e 3 projektligjeve të kërkuara nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Nisur nga sfidat që kemi ndërmarrë para qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe nxitur nga prioritetet e përbashkëta në drejtim të rritjes së pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe eficencës së sistemit gjyqësor, dëshiroj që në epiqendër të këtij takimi të parë të vendosim reformën në sistemin gjyqësor dhe zbatimet e rekomandimeve të raport progresit të BE-së për vitin 2012. Në ushtrimin e funksionit si President i Republikës jam përkushtuar të përmbush të gjitha ato detyrime që burojnë nga 12 prioritetet e sfidës së integrimit evropian, si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në fokusin tim të veçantë është padyshim përmbushja e të gjitha pritshmërive që vijojnë përbri plotësimit të prioritetit të 7-të”- u shpreh Nishani. Kreu i shtetit kërkoi që çdo proces emërimi, promovimi apo transferimi, jo vetëm që do të jetë plotësisht transparent, por mbi të gjitha do të mbështetet vetëm në merita dhe kritere qartazi të përcaktuara nga korniza ligjore dhe të njohura publikisht. Presidenti i Republikës vlerësoi se reforma të rëndësishme janë ndërmarrë në drejtim të plotësimit të kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e pushtetit gjyqësor. Nishani theksoi se miratimi i ligjit për Gjykatat Administrative, ai për Organizimin dhe Funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare etj., cilat janë shoqëruar me zbatimin e disa projekteve dhe investimeve po aq të rëndësishme të cilat synojnë të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e veprimtarisë së gjykatave nëpërmjet aplikimit të sistemeve dixhitale apo thjeshtëzimit dhe standartizimit të disa prej procedurave ligjore mungesa e të cilave rriste artificialisht si pakënaqësitë ashtu edhe besimin e qytetarëve, por po me kaq rëndësi mbetet edhe miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, i është edhe një nga kushtet e Bashkimit Evropian për statusin e kandidatit. Sikundër u shpreh presidenti Nishani, kuadri i 3 reformave të mbetura duhet të përmbushet brenda afateve të lejuara, pasi në 100 vjetorin e Pavarësisë, procesi i integrimit merr një rëndësi edhe më të madhe. “Në këto momente historike dhe vendimtare për vendin tonë, momente të cilat historia na sprovon pikërisht gjatë festimeve të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, këto tre projekt-ligje, përtej qëllimeve rregullative që përmbajnë në vetvete, marrin një rëndësi monumentale për të kurorëzuar përpjekjet shekullore të popullit shqiptar”- theksoi presidenti Nishani. Kreu i Shtetit u shpreh më tej se takime të tilla janë mundësi shkëmbimi përvoje midis drejtuesve të gjykatave dhe të institucioneve të tjera të vendit, si dhe i shërbejnë koordinimit të një bashkëpunimi shumë të domosdoshëm, që siç e cilësoi Presidenti Nishani, “në mjaft raste është porta, nga e cila duhet të kalojmë të gjithë së bashku për të ratifikuar, kontributet e gjithsecilit në fushën e reformave të sistemit të drejtësisë në tërësi dhe veçanërisht në atë të gjyqësorit”. Në tryezën për drejtësinë, morën pjesë ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi; Kryetari të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja; Kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj; Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa; Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama; përfaqësuesve të misionit EURALIUS në vendin tonë si dhe të tjerë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë shqiptare.


Halimi: Opozita të shohë interesin e qytetarëve, ligji e bën më të pavarur Gjykatën e Lartë


Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi apeloi dje nga tryeza e Presidentit për reformën në drejtësi, që të votohet ligji për Gjykatën e Lartë, në funksion të Pavarësisë së gjyqësorit. Ai i bëri thirrje opozitës që të shohë interesin qytetar dhe të votojë reformat të cilat janë në pritje të konsensusit të pakicës parlamentare. Nga tre ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, ministri Halimi veçoi atë për Gjykatën e Lartë, nismë të cilën e kërkoi me ngulm vetë opozita, duke e vendosur në qendër të reformave. “Reformimi i sistemit të drejtësisë është një proces i gjatë, i vështire. Por ajo është një reformë që nuk mund të ecet vetëm. Pak ditë më vonë skanon afati i kërkuar nga BE për reformën në sistemin e drejtësisë dhe miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë. Ai është një ligj që vetë opozita e kërkoi. Ishte BE ajo që e vuri në qendër të reformave dhe që ky proces të jetë i merituar duhet që ta votojmë atë. Unë shpresoj që deri në minutën e fundit opozita të ngrihet mbi interesin e vet, të shohë interesin e qytetarëve dhe të votojë këtë ligj së bashku me ligjet e tjera. Ky ligj e bën më të pavarur Gjykatën e Lartë, ky ligj është i rëndësishëm për Pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës së Lartë. Këto nuk janë reforma që i krijojnë favore politike. Këto janë reforma që i interesojnë qytetarëve, ndaj dhe ata paguajnë taksa, para të fëmijëve të tyre, që ne të hartojmë të hartojmë ligje dhe të reformojmë sistemet, të zbatojmë ligjet, për t’ju lehtësuar jetën dhe për tu shërbyer më mirë atyre” - u shpreh ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›