Kreu i Këshillit të Evropës nuk merr pjesë në Bërdo
Burimet e afërta me Herman Van Rompaj, kanë konfirmuar se Kryetari i parë evropian është i mendimit se organizatorët nuk i janë qasur si duhet tërë problemit të shkaktuar rreth pjesëmarrjes së Kosovës dhe Serbisë në këtë takim, dhe duke pasur parasysh se bëhet fjalë për konferencë rajonale, ndoshta, edhe prezenca e nivelit kaq të lartë në Konferencë, nuk është e domosdoshme. Disa zyrtarë, në Bruksel, paralajmërojnë se ka mundësi që ky vendim i Van Rompaj të ketë efektin domino dhe se si rezultat i kësaj sot në Bërdo të mos paraqitet as shefi i diplomacisë spanjole, Mihel Angel Moratinos, i cili duhej të përfaqësonte Presidencën e Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, ideja e kryeministrave slloven dhe kroat, për organizimin e Samitit, u shndërrua në një konferencë rajonale, ku jo të gjithë liderët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor do të jenë prezent. Kjo, për shkak se, Borid Tadiç, nga Serbia, ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në takim, ku Kosova prezantohet si shtet, e jo me parashtesën UNMIK. Duke qenë e papranueshme për Prishtinën, mënyra e prezantimit, shkaktoi kokëçarje edhe për organizatorët, pasi që të dy shtetet, edhe Sllovenia edhe Kroacia e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kryeministri slloven, Borut Pahor, i cili, deri në momentet e fundit, ka tentuar të bindë që të gjithë të ftuarit nga rajoni dhe Brukseli të marrin pjesë në takim, deklaroi se Konferenca do të mbahet pavarësisht nga ajo se kush vendosë të marrë pjesë në të. Ai, gjithashtu, u shpreh se nuk do e gjykojë askënd, nëse vendos të mos jetë prezent gjatë ditës së nesërme në Bërdo. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar në orët e pasdites së djeshme për në Slloveni, për të marrë pjesë në Konferencën për Ballkanin Perëndimor, që mbahet sot, në Bërdo afër Kranjit.
Thaçi në Slloveni, Tadiç nuk merr pjesë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar në orët e pasdites, të premten, për në Lubjanë të Sllovenisë, për të marrë pjesë në Konferencën rajonale, që mbahet në Bërdo afër Kranjit. Ndërkohë, mediat serbe kanë lajmëruar se presidenti i Serbisë, Boris Tadiç nuk do të marrë pjesë në këtë konferencë, organizuar nga Sllovenia dhe Kroacia. Kjo konferencë është shndërruar kohët e fundit në temë debatesh, pas kushtëzimeve të Serbisë, që Kosova të përfaqësohet nën ombrellën e UNMIK. Autoritetet e Prishtinës e kanë kundërshtuar këtë kushtëzim, duke thënë se në takime të këtilla, Kosova do të përfaqësohet vetëm si shtet. Para nisjes, në një konferencë për media, të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kryeministri Thaçi rikonfirmoi se në Konferencën e Bërdos do të marrë pjesë si kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës, ashtu siç edhe është ftuar nga organizatorët e Konferencës, kryeministri slloven, Borut Pahor dhe kryeministrja kroate, Jadranka Kosor. Republika e Kosovës në Konferencën që do të mbahet në Bërdo do të jetë e përfaqësuar në mënyrë të barabartë, sikur të gjitha shtetet e rajonit, me statusin që e ka, të njohur si shtet i pavarur dhe Sovran, u shpreh kryeministri Thaçi. Ndërkaq, presidenti serb Boris Tadiç, nuk do të marr pjesë sot në konferencën e Ballkanit Perëndimor, e cila do të mbahet në Bërdo afër Kranjës, organizuar nga Sllovenia dhe Kroacia. Lajmin e konfirmon televizioni serb B92. Vendimi i Tadiç për të mos iu bashkuar konferencës, sqaron televizioni serb, lidhet me moszgjidhjen e çështjes së emrit me të cilin do të përfaqësohet Kosova po në këtë konferencë. Beogradi, që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, nuk pranon të marrë pjesë nëpër takime, ku ka edhe përfaqësues të Kosovës, të cilët prezantohen në këto takime ndërkombëtare si anëtarë të një shteti të pavarur. Ndërsa Prishtina zyrtare nga ana e saj, ka bërë të qartë që do të marrë pjesë në takimin e sotëm e barabartë me shtetet e tjera, pra si e pavarur. Ndërsa kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, deklaroi një ditë para zhvillimit të samitit, se Konferenca për Ballkanin Perëndimor do të mbahet pavarësisht se kush do të marrë pjesë e kush do të mungojë. Çdokush që vjen në Konferencë do të kontribuojë me qëndrimin e tij në dialog. Kush nuk merr pjesë, nuk do ta dënojmë, tha Borut Pahor në Lubjanë. Ai theksoi se dialogu është rruga e vetme për paqe, siguri, stabilitet dhe mirëqenie të njerëzve në këtë pjesë të Evropës.