Kreu i Kushtetueses rindez replikat Berisha-Topi
Institucionet e pavarura kushtetuese kanë rindezur debatin mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Bamir Topi. Duket se shkak për këtë situatë është bërë përcaktimi i kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese. Mandati i këtij përfaqësuesi të lartë të gjykatës ka mbaruar prej më shumë se një muaji dhe nga Presidenti i Republikës ende nuk ka ardhur një propozim i ri për zëvendësimin e tij. I pyetur në lidhje me kohën kur ky emër do të shkonte në Parlament, kreu i shtetit konfirmoi se kjo procedurë do të ndodhte vetëm në muajin shtator. Nga ana tjetër, Presidenti Topi theksoi se ligji në fuqi nuk e pengon kreun aktual të gjykatës të ushtojë kompetencat e tij. “Asgjë nuk e pengon kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese të ushtrojë detyrimet e tij, por besoj që fillimi i sesionit të ri parlamentar do të sjellë edhe emra të rinj, që nuk kanë të bëjnë vetëm me kryetarin, por edhe me anëtarë të tjerë që janë të detyruar të plotësojnë vendet vakante”, theksoi Topi në fjalën e tij, duke shtuar se ai ishte shumë i kujdesshëm për një çështje të tillë. Nga ana tjetër, pak orë më vonë, kreu i qeverisë, Berisha, i pyetur për këtë çështje, theksoi se duhet të zbatohej Kushtetuta e vendit dhe e njëjta gjë vlente edhe për Presidentin Bamir Topi. “Unë gjykoj se zbatimi i Kushtetutës është zgjidhja dhe detyrimi i qytetarit, i Kryeministrit, i Presidentit, i cilitdo”, deklaroi Berisha në fjalën e tij. Nga ana tjetër, në prononcim për “Shqip”, këshilltari juridik i Presidencës, Spiro Peçi, deklaroi se nuk ka asnjë shkelje të Kushtetutës për sa i përket mosnxjerrjes së dekretit nga Presidenti Topi për kreun e ri të Gjykatës Kushtetuese. “Do të kishim një shkelje të Kushtetutës vetëm në rastin kur Presidentit, në Kushtetutë, do t’i përcaktohej një afat ku t’i thuhej se brenda një date të caktuar ai duhet të emëronte kreun e ri të Gjykatës Kushtetuese”, thekson Peçi, duke shtuar se në Kushtetutën e vendit, nuk ka asnjë paragraf të tillë. Peçi thekson se në kushtet e krijuara, kur gjysma e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë me mandat të përfunduar, nuk është logjike që mes tyre të zgjidhet një kryetar, sipas procedurës që e parashikon Kushtetuta. “Nuk mund të quhet ligjore që të propozosh për kryetar gjykate një nga anëtarët, në një kohë kur nuk ke të plotësuar trupën e anëtarëve të tjerë”, thekson Peçi. Këshilltari juridik i Presidentit thekson se në fillim të muajit shtator, Topi do të paraqesë në Kuvend edhe emrat e rinj të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas edhe emrin e propozuar prej tij si kryetar.
#