Infeksionet virale, më shumë raste në zonat turistike
Pothuajse të gjitha rrethet e vendit po raportojnë këto ditë rritje të të prekurve nga virozat e stinës.
Instituti i Shëndetit Publik, i cili monitoron çdo javë situatën në 36 spitalet e vendit, thotë se rreth 1500 raste paraqiten çdo javë në spital për të kërkuar ndihmën e mjekut.
Sipas epidemiologut Artan Simaku, zonat turistike raportojnë numrin më të madh të pacientëve që paraqiten në urgjencat e spitaleve. “Duhet të theksoj se shifrat e raportuara janë të njëjta me periudhën e një viti më parë, por në qytetet bregdetare vihet re një rritje e pacientëve, që kërkojnë ndihmë mjekësore, pasi është dyfishuar edhe numri i pushuesve në këtë periudhë”, shpjegoi specialisti i ISHP-së. sipas tij, situata është nën kontroll dhe deri më tani nuk janë konstatuar shpërthime epidemike me bazë uji apo ushqimi. Simaku tha se shifrat e raportuara janë normale në këtë periudhë të vitit, por ky fluks sipas tij lidhet me sistemin e referimit, që mesa duket nuk respektohet sidomos në rrethe. Kjo sjell dhe mbingarkesën e urgjencave të spitaleve.
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se piku i rasteve me sëmundjet gastroenterite pritet të jetë në mesin e muajit gusht, ndaj kujdesi si nga ana e mjekëve, ashtu dhe prindërve, duhet të rritet në maksimum. Nga ana e tij, ISSH-ja po monitoron situatën për të shmangur rastet e ndonjë shpërthimi epidemik, që mund të ketë si shkak ujin apo ushqimet.
#