E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PD Berat: Patozi pa dinjitet, gara ishte reale dhe transparente

BERAT - Qëndrimet e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi për garën e 22 korrikut dhe zgjedhjen e Lulzim Bashës si pasues të Berishës, kanë shkaktuar reagime të forta në bazën e PD-së, në Berat. Kreu i PD-së së rrethit Arenc Berati, i quan këto deklarata si jo dinjitoze dhe akuzon Astrit Patozin se në funksionin e nënkryetarit të PD-së nuk ka mundur të njohë as kryetarët e rretheve dhe jo më të interesohej për organizatat dhe antarësinë në një kohë që sipas tij ish-kryetari i PD, Sali Berisha mbante kontakt të rregullt me drejtuesit dhe anërasinë e partisë. “Jam i bindur se po të pyetet Patozi se kush është kryetari i PD-së në rrethin e Beratit apo ndonjë rreth tjetër ai nuk e di, e pra kjo është puna që Patozi ka bërë si nënkryetar i PD-së”, – shprehet Berati për “Gazeta Shqiptare”.
Zoti Berati, çfarë mendoni për deklaratat e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi?
Vlerësoj punën e z.Astrit Patozi si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, por aspak punën e tij si nënkryetari i PD-së. E them këtë pasi Patozi ashtu si me shumë kolegë të tjerë kryetar të PD në rrethe nuk ka komunikuar asnjëherë me mua. Ndoshta nuk më di as emrin, përkundrejt ish-kryetarit Berisha që njihte edhe anëtarët e thjesht të PD-së dhe për problemet që ata kishin komunikonte menjëherë dhe drejpërdrejt më kryetarët lokalë të degëve të PD, duke u dhënë zgjidhje problemeve.
Z.Patozi e quajti garën për kreun e PD-së jo korrekte dhe Lulzim Bashën si të përzgjedhur, të parapëlqyer ndaj edhe do të fitonte. Kush është komenti juaj për këtë?
Nuk mendoj se gara për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së, nuk ishte reale. Ajo ka qënë transparente në çdo drejtim. Vetë ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha na kishte kërkuar si nëpërmjet udhëzimeve ashtu edhe me sms, që të shmangnim parapëlqimet për kandidatët dhe se drejtuesit e PD-së që do të shfaqnin preferenca për njërin apo tjetrin kandidat duhej që më parë të dorëhiqeshim nga postet drejtuese në PD. Na ka habitur deklarata e tij. I gjithë procesi ishte në sy të publikut, duke filluar nga momentet e para e deri në përfundim, ka qënë tepër korrekt, ndaj nuk është mirë që të hidhet baltë, për më tepër nga drejtues që kanë mbajtur poste të larta në PD siç është Astrit Patozi.
Po dorëheqjet e tij nga të gjitha funksionet në PD si do ta vlerësonit?
Përsa i përket dorëheqjes së Patozit nga postet drejtuese të PD, mund të them se kjo është e drejtë e tij, kjo është zgjedhja e tij, por do ishte mirë që këtë dorëheqje z.Patozi mos ta bënte nga studio e televizionit Top Channel, por nga nga shtëpia jonë e përbashkët, selia e PD në Tiranë. Kjo nuk është dinjitoze për një ish-funksionar të lartë të PD.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›