E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjetë me Sali Berishën?

Ky qëndrim jo i ri i nënkryetares së Partisë Demokratike Jozefi na Topalli, i postuar dje në profi lin e saj në “Facebook”, shpreh, mbase jo në mënyrën më elegante, por ama krejt hapur qasjen ndaj kryetarit të ri të PD, Lulzim Basha. Postimi erdhi një ditë pas shpërthimit të nënkryetarit Astrit Patozi në studion e Sokol Ballës. Akuzat e tij të forta, në sinkron me ato të Sokol Olldashit, për një garë të pandershme të dirigjuar nga Sali Berisha, ishin një befasi e papritur nga një figurë e lartë e demokratëve, që disiplinën partiake e ka pjesë të genit të tij politik.
A qëndronin akuzat e Patozit ? Absolutisht po ! Por përtej efektit mediatik që prodhuan, ato zbuluan edhe problemet e akumuluara masivisht në 8 vitet kur demokratët ishin në qeverisje. Më i dukshmi ishte mungesa e komunikimit në selinë blu. Një komunikim që dukej se kishte pushuar prej kohësh brenda e mes lidershipit demokrat. Kurioziteti publik nëse ndodhte diçka, pasi kamerat largoheshin nga pjesa e hapur e mbledhjeve të demokratëve, u shua plotësisht. Kjo do thotë se edhe « rezistenca »,  që Patozi deklaroi se e kishte bërë gjatë mbledhjeve të ndryshme, kishte mbetur e izoluar, ose në pakicë për të provokuar një ndryshim të planit të paracaktuar, për rezultatin e garës për pasardhësin e Berishës në Partinë Demokratike.
Transparenca e Astrit Patozit ngriti pikëpyetje pafund për veprimet e mosveprimet brenda selisë blu. Në thëniet e tij, nënkryetari demokrat nuk e kishte mbështetur as formalisht kandidatin Olldashi, duke refuzuar të ushtronte të drejtën e votës në 22 korrik, pavarësisht kërkesës së këtij të fundit.
Por jo të gjithë ndenjën krejt pasivë. Ditën kur do shpallej rezultati, pati zonja në vendimmarrjen e lartë të selisë blu, që u treguan « më burra se burrat », pasi i shprehën virtualisht rezervat për atë që kishte ndodhur në garën për kryetar të PD. Kjo do thotë se pjesa dërmuese e demokratëve, e kishte informacionin e asaj çfarë po ndodhte në degët e demokratëve, gjatë fushatës 19 ditore të Olldashit e Bashës. Olldashi i artikuloi shkarazi nëpër studio televizive, ndërsa të tjerë demokratë u përplasën në rrjetet sociale. Pyetja normale mbetet: Përse elita e Partisë Demokratike heshti përballë asaj që po ndodhte ? Përse Olldashi mbeti i izoluar në rezervat e tij, që nuk i kurseu deri në momentet e fundit ?« Me këtë rast u uroj suksese të gjithë rivalëve në garë ! » tha pak minuta para se të mbyllej procesi i votimit.
Si mundet që një njeri i vetëm, qoftë edhe kryetari historik i demokratëve të imponojë këtë « tredhje » kolektive intelektuale brenda një partie ? “…unë kurrë nuk kam patur bindjen dhe nuk e kam që Sali Berisha është i dërguari i Zotit në Shqipëri”, tha Patozi, por edhe nëse do ishte i vetëm në këtë bindje, faktet tregojnë të kundërtën.
Pas analizës së hollë, që reflektonte eksperiencën e tij jo të pakët partiake, nr 2 i PD dha dorëheqjen nga çdo funksion dhe deklaroi se do mbetej një ushtar në dispozicion të demokratëve. Në kuptimin organik e hierarkik të termit, kjo do thotë së nuk do luftojë si vendimmarrës, por thjesht do zbatojë e nuk do diskutojë urdhrat? A është ky një mesazh politik dorëzimi për çdo anëtar, se PD nuk behet më e nuk ia vlen të luftosh për shëndoshjen e demokracisë së brendshme të saj?
Çfarë vlere ka « trimërimi » në studiot televizive pasi fakti ndodh ? Çfarë efekti prodhon kjo « transparencë » e vonuar? Çfarë i sjell «shtëpisë së madhe të demokratëve », rreshtimi i « ushtarëve » që zbrazin mëritë, që nuk i kanë artikuluar publikisht në kohën e duhur ? Çfarë do të thotë « fituesi ishte i paracaktuar », « ky ishte një gabim i Sali Berishës », « ..por Basha mbetet kryetar legjitim » « 22 korriku ishte një gabim që duhet harruar sa më shpejt”. Basha nuk duhet ta konsiderojë këtë “si një faturë që duhet ta shlyejë, si një borxh që duhet t’ua kthejë”??!!!!
A është kjo situatë rezultat i heshtjes e mosveprimit të figurave të larta të PD? Duke përshkruar garën e orientuar, Patozi tha se “shumë prej tyre(demokratëve), mund të kenë shkuar shumë thellë në zellin e vet, për të larë edhe hesape të vogla që janë të zakonshme për një forcë politike.? Sa prej tyre janë pjesë e lidershipit të selisë blu?
Për një politikan me eksperiencë “realist”, “racional” e “me këmbë në tokë”, nuk u kuptua se çfarë efekti pozitiv do prodhonte kjo transparencë televizive për shtëpinë e madhe të demokratëve. Efekti i dukshëm ishte rritja e audiencës televizive, e sigurimi i aperturave në çdo gazetë të përditshme.
A i cenoi më tej autoritetin kryetarit të ri të demokratëve? Kjo do shihet nga aksioni politik i Bashës, që do shkojë përtej deklaratave krejt korrekte se « PD është parti e njerëzve të lirë ». « Përjetë me Sali Berishën ! » është qëndrimi që artikulon gjenerata demokrate e para viteve 80. Eshtë një mburojë që nuk mban më, për të qenë kundër kryetarit të ri. Sepse nuk mund të adhurosh ish kryetarin e të mos duash të preferuarin e tij.
Vetë kryetari i ri Basha e ka një sfidë të pambyllur. Bëhet fjalë për legjitimitetin jo të fitores, por të rezultatit prej 80% të votave, pasi rivali që kishte përballë, nuk ishte i kalibrit të 20% të preferencave të demokratëve. Ky rezultat po i jep Bashës një kosto më të madhe se ajo që dihet, « si i preferuari » i ish kryetarit. Heshtja e figurave të tjera të PD, një pjesë jo e vogël e të cilëve, ashtu si Patozi nuk kanë votuar, nuk mund të vazhdojë gjatë. Herët a vonë, ato do cedojnë përpara presionit të mediave, e jo vetëm, për të dhënë opinionet e tyre. Abstenimi për të uruar kryetarin e ri publikisht, edhe pas nxitjeve të hapura të Sali Berishës, e paralajmëron këtë. Përballja me problemet, e jo anashkalimi do bëjë diferencën në Partinë Demokratike post Berishë. Kjo përballje do përcaktojë edhe fuqinë reale politike, përtej asaj numerike, të demokratëve në rrugën e tyre të re. Një betejë politike e bazuar tek intelekti strategjik i gjeneralëve, apo bindja zbatuese e ushtarëve, do përcaktojë edhe kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në opozitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›