E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kreu i PD, Lulzim Basha: Ose shpallemi parti “non grata”, ose partnere me SHBA

Kreu i PD, Lulzim Basha, ka folur shumë hapur se gjendja e krijuar, përfshin drejtëpërsedrejti marrëdhenien e PD me SHBA. “Kemi përgjegjësinë historike, përpara demokratëve dhe shqiptarëve, që të mos lejojmë që partia që në 1992 erdhi në pushtet në partneritet të ngusht me Shtetet e Bashkuara, që ndërtoi lidhjet më të forta me partnerët perëndimorë, të mos përfundojë “non grata”. Ky është thelbi që disa përpiqen të fshehin nga gjithë kjo histori, si nga ata që e shfrytëzojnë këtë moment për interesa personale, por edhe nga ata që duan të dëmtojnë Partinë Demokratike. Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, ose ne do të jemi një parti e pranueshme për Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara, mikun tonë të madh, ose do të jemi një parti non-grata. Nuk ka zgjidhje tjetër dhe kushdo me mend në kokë e kupton që është ekzaktësisht kështu.”- theksoi Basha.

Me tone të ashpra kryedemokrati ka folur në mbledhen e Kolegjit të kryetarëve edhe kundër ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar se kërkon bunkierizimin e PD dhe madje kërkon destabilizimin e partisë. Basha tha në takimin me kryetarët e degëve të PD se vota e kryesisë i dha përgjigje kujtdo që dyshonte në procedurat demokratike në parti. Zoti Basha tha se më 18 dhjetor mbahet Kuvendi Kombëtar i PD dhe nga ky kuvend ne dalim te bashkuar, partner të palëkunder të SHBA dhe BE.

“Do të bejë Sali Berisha miting më 11 dhjetor? Apo mendon se do te ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjen në Statut. Dhe do ta zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi të tjerët”- u shpreh Basha.

Basha mori vendimin për të mos e përfshirë Berishën në grupin parlamentar të PD-së, deri në zgjidhjen e konfliktin gjyqësor me SHBA-të. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›