Kreu i PD-së së Kavajës: Nuk ka burrë nëne që e heq monumentin
Kreu i PD-së së Kavajës, Ramazan Okshtuni, ka bindjen e plotë se askush nuk do të mund të guxojë ta heqë nga sheshi i qytetit monumentin e demokracisë.
Ndaj deklaratës së kryebashkiakut Elvis Roshi se do ta shembë simbolin e dy gishtave, kryedemokrati i Kavajës shprehet në mënyrë të prerë: Nuk ka burrë nëne që ta bëjë këtë.
Okshtuni denoncon përpjekjet e kreut të bashkisë, Elvis Roshi, dhe kreut të PS-së, Edi Rama, për të konfliktuar sipas tij Kavajën, ndërsa shpreh bindjen e plotë se monumenti do të vazhdojë të qëndrojë aty ky është, në shesh.
Të jeni të sigurt që Elvis Roshi është shumë i vogël për ta rrëzuar një monument të tillë. Nuk do ta lejojnë qytetarët e Kavajës. Bashkia është votë e qytetarëve dhe ai nuk mund ta përdorë këtë votë duke bërë çfarë të thotë mendja. Kjo është një mendje e shpërqendruar, e papërgjegjshme, që qytetarët e Kavajës do të dinë shumë mirë ti kundërpërgjigjen me votë kundër me 23 qershor. E kanë të kotë që të dy. Ai monument do të vazhdojë të qëndrojë aty ku është dhe ua përsëris: Kurrë nuk do të mund ta heqin atë, sepse nuk ka burrë nëne që ta bëjë një gjë të tillë. Mua më vjen keq që Roshi po përdoret nga Rama, është bërë vegël e tij duke u kthyer kurrizin bashkëqytetarëve të tij, shprehet Okshtuni për GSH.
Ai nënvizon se pas 23 qershorit nuk do të duhet të ruajnë monumentin, por kryebashkiakun Roshi nga ndonjë vetëvrasje, pasi sipas tij, është e sigurt humbja./A.XH