E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PDK-së njofton rezolutë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Kërkohet gjykim i drejtë

PRISHTINË, 11 shkurt /ATSh/ Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza gjatë fjalimit të tij në seancën për votimin e Qeverisë kërkoi nga të gjithë deputetët që të bashkohen e të ndihmojnë pa politizime betejën për drejtësi që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai ftoi që të bashkëngjiten në protestën e 17 shkurtit.

Hamza bëri të ditur se në seancën e parë të punës do të procedojnë votimin e rezolutës së hartuar dhe që është dorëzuar në kuvend, në të cilin kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe profesional në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Hamza përmendi tri pika kryesore që pret nga Qeveria e re. Ai kërkoi konsensus të gjerë edhe për zgjedhjen e presidentit e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Përgjegjësia që presim ne si PDK, duhet të përkthehet në disa pika thelbësore. Presim përgjegjësi për respektimin e Kushtetutës. PDK dhe shpresoj të gjithë deputetët, do t’i bashkoheni të ndihmojmë pa mëdyshje, pa politizime betejën për drejtësi dhe të vërtetën që po zhvillohet në Hagë. Me këtë rast ftoj të gjithë kolegët dhe liderët të jemi së bashku me 17 shkurt, në marshin gjithë popullor “drejtësi jo politikë”. Kuvendi dhe qeveria e ardhshme ka obligim të bëj maksimumin që kjo mbrojtje e drejtësisë të përkthehet në veprime konkrete. Së treti PDK beson fuqimisht se demokracia në Kosovë është e ndërtuar të shprehemi teknikisht në çështjen thelbësore për funksionimin e shtetit. Kërkohet konsensus i gjerë edhe për zgjedhjen e presidentit, marrëveshjen ndërkombëtare, institucionet e pavarura dhe gjyqtarët të Gjykatës Kushtetuese”, tha Hamza.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza shtoi se mbështetja e drejtë për krerët e UÇK-së kërkon qasje më dinjitoze, të matur dhe unifikuese.

“Raporti i shtetit tonë me themeluesit e UÇK-së që janë edhe themeluesit e shtetit me procesin që po zhvillohet kundër tyre në Hagë, kërkon qasje më dinjitoze të matur dhe më unifikuse, pavarësisht dallimeve politike, mbështetja e drejtë për ta janë detyrim i përbashkët i yni. Në këtë kontekst, pasi vet keni qenë dëshmitarë të kërkesave absurde të prokurorisë në Hagë, ju njoftoj se në seancën e parë të punës do të procedojmë votimin e rezolutës së hartuar dhe propozuar nga ekspertë të pavarur, që tash i është dorëzuar kuvendit me të cilin kërkohet gjykim i drejtë i paanshëm dhe profesional në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”, shtoi ai.

Ndërkohë për ekspozenë e Kurtit tha se është me premtime të mëdha, derisa ka përmendur edhe problemet ekonomike.

“Është me shumë premtime, ka çështje që nuk kanë bazë kah do të financohen është e saktë që janë rritur eksportet por nuk është e mjaftueshme me i përmend pa i përmend që janë rritur importet, që është thelluar deficiti tregtar, që shumë indikator financiar dhe makroekonomik nuk janë në trendin e duhur, që likuiditeti në sektorin bankar është çdo ditë duke u zvogëluar, janë duke u rritur edhe normat e interesit”, tha ai.

Hamza tha se si PDK do të mbështesin çdo iniciativë në interes të qytetarëve.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›