E Diel, 1 Nëntor 2026

Spiropali uron Kurtin dhe Haxhiun: Mbështetje për Kosovën në rrugën euroatlantike

TIRANË, 11 shkurt /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, uroi sot konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke i përcjellë mesazhe suksesi institucioneve të reja të dala nga Legjislatura X.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali shprehu urimet për Kuvendin dhe Qeverinë e re të Kosovës.

“Rrugëtim të mbarë dhe shumë suksese Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën X dhe Qeverisë së re!”, shkroi ajo.

Ministrja përcolli urime të përzemërta për Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për Kryeministrin Albin Kurti dhe për Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, duke theksuar përgjegjësinë e lartë në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të mëtejshëm të shtetit demokratik të Kosovës.

Spiropali nënvizoi se Kosova është pjesë e pandashme e zemrës kombëtare dhe e horizontit të përbashkët evropian, duke theksuar se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës me mbështetje të sinqertë dhe të palëkundur për sigurinë, institucionet dhe rrugëtimin e saj drejt familjes euroatlantike.

Ajo uroi që ky kapitull i ri të jetë në shërbim të paqes, zhvillimit dhe dinjitetit të qytetarëve të Kosovës.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›