E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i PS Rama, letër Topit: “Fale nënë Feriden”

Kryesocialisti Rama i është drejtuar sërish sot presidentit të Republikës Bamir Topi për të falur 75 vjeçaren Feride Bako, me të drejtat që i jep ligji. Kjo kërkesë e Ramës vjen pas një kërkese publike të artikuluar pak ditë më parë gjatë një konference për shtyp. 

TIRANE- Kryetari i Partosë Socialiste Edi Rama, i shkruan presidentit të Republikës Bamir Topi ku i drejtohet me kërkesën për të falur 75 vjeçaren Feride Bako, e moshuara e dënuar për kultivim Kanabis e burgosur në burgun e grave 325 në Tiranë. Kërkesa zyrtare e kreut te PS-së, Rama vjen pas një kërkese publike të artikuluar pak ditë më parë gjatë një konference për shtyp ku Rama u shpreh se “drama e nënë Ferides është drama e atyre që vuajnë në skajshmëritë e një mjerimi total”.

”Ju parashtroj përmes kësaj letre kërkesën time që të ushtroni të drejten e faljes për një shtetase të moshuar në zbatim të kompetencave tuaja të parashikuara nga Kushtetuta e vendit” -nis letra e kreut të PS Rama, drejtuar presidentit Topi.
Më pas Rama shkruan se “gjyshja e kyçur në burg është shembëlltyrë e pafajshme e varfërisë që e ka shtyrë atë përtej kufijve të ligjit”. Rama kërkon lirimin e nënë Ferides si të vetmen mbështetje për dy nipërit e saj ende fëmijë, të cilët mbijetojnë vetëm, në një kasolle pa asnjë kusht për t'u quajtur shtëpi. Çdo ditë që kalon është një aventurë e paparashikueshme për ata dy fëmijë“.
Rama tha se “duhet amnisti për raste të ngjashme me ato të nënë Ferides“.
Rasti i nënë Ferides u trajtua për herë të parë në emisionin “Me Zemër të Hapur” në televizionin “NEWS24” ku ishte vetë nënë Ferideja dhe të afërm të saj që kërkuan ndihmë për lirimin e së moshuarës. “NEWS24” solli në vëmendje rastin e dy fëmijëve jetimë rritja e të cilëve u është besuar 75 vjeçares që mbahet në burg, pasi i ati i tyre nuk jeton më dhe nëna i ka braktisur. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›