Kreu i PS përshëndet miratimin e rezolutës së Kosovës
TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama përshëndet miratimin e Rezolutës së Parlamentit Europian në mbështetje të perspektivës Europiane të Kosovës.
“Miratimi i kësaj Rezolute”- shprehet Rama “është shprehje e qartë e mbështetjes së Parlamentit dhe Bashkimit Europian për promovimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës dhe garantimin e shtetit të së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Gjithashtu kreu i PS ndan të njëjtin dëshirë dhe besim me shumicën e Eurodeputetëve që miratuan sot në Strasburg këtë Rezolutë, për ti rekomanduar edhe pesë vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian (Greqisë, Qipros, Sllovakisë,Spanjës dhe Rumanisë) njohjen e shtetit të ri të Kosovës.
Partia Socialiste e Shqipërisë vlerëson se angazhimi në procesin e integrimit Europian të Kosovës, përkrah vendeve të tjera të Ballkanit, është shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.
(e.n/News24/Balkanweb)