LSI, Meta: Kartat, Berisha po rrezikon zgjedhjet
TIRANE- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta akuzoi sot kryeministrin Berisha për dështimin e procesit të kartave, ndërkohë që deklaroi se këshilltaret e LSI nuk kanë patur asnjë qëllim politik gjatë votimit të buxhetit. Meta ka akuzuar qeverinë për vonesa në procesin e pajisjes me kartat e identitetit, duke theksuar se problemet serioze që po hasen gjatë procesit tregojnë qartë paaftësinë e maxhorancës.
“Megjithë demonstrimin aktoresk të Berishës për prodhimin e kartës së parë të identitetit, sot e kësaj dite asgjë nuk ka ndodhur, asnjë qytetar nuk ka marrë ndonjë kartë identiteti”-është shprehur kreu i LSI në një deklaratë për mediat. LSI theksoi se Berisha po cënon standardin e zgjedhjeve, duke i kompromentuar ato me mos prodhimin e kartave të identitetit.
Kreu i LSI u është përgjigjur edhe akuzave nga ana e G99, të kthyer tashmë në parti politike, duke e akuzuar ka përdorur fondet e Bashkisë për të arritur qëllimet e tij.
“Unë e kuptoj që G99 është një shoqatë e krijuar nga Kryetari i Bashkisë vetëm për të sharë LSI-në dhe për të kopjuar iniciativat e njohura të LSI, sikurse është e drejta e votës së emigrantëve apo çështje të tjera”-deklaroi Meta përpara gazetarëve.
(e.n/Balkanweb)