E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Pentagonit senati konfirmon Leon Paneten

Senati amerikan konfirmoi unanimisht Leon Panetën, kreun e CIA-s, në postin e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes. Ai zëvendëson nga 1 korriku në këtë pozicion Robert Gates, i cili e mori detyrën gjatë mandatit të dytë të presidentit George Bush dhe tani del në pension.

Paneta javën e ardhshme mbush 73 vjeç duke u kthyer kështu në kreun më të moshuar të Pentagonit në kohën e marrjes së detyrës. Paneta i tha Kongresit javën e kaluar se nëse emërohej ai do të foklusohej në krijimin e disiplinës fiskale në ushtrinë amerikane, duke thënë se u kishte ardhur fundi ditëve të buxheteve"të pakufizuara" të mbrojtjes.

Si shef i CIA-s, ai është vlerësuar gjerësisht për operacionin e fshehtë muajin e kaluar për të vrarë Osama Bin Ladenin, liderin e Al Kaedës. Si Sekretar i Mbrojtjes, Paneta do përballet me presione të mëdha përsa i përket reduktimit të buxhetit të mbrojtjes dhe tërheqjes së  trupave amerikane nga Afganistani që pritet të fillojë muajin e ardhshëm.

Emërimi i Panetës ishte pjesë e një modifikimi në aparatin e sigurisë të ideuar nga presidenti Barack Obama. Drejtimin e shërbimit të fshehtë CIA-s e merr gjenerali me katër yje dhe komandanti i trupës mbrojtëse ndërkombëtare për Afganistanin, David Petraeus.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›