E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i opozitës i kërkon kryeprokurores të nisë hetimet

Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, i ka bërë thirrje publike kreut të shtetit që të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërkohë që i ka kërkuar kryeprokurores Ina Rama të nisë hetimet ndaj përgjegjësve të katastrofës. Në një dalje publike dje në mbrëmje, kryetari i Partisë Socialiste ka shprehur qëndrimin e opozitës që e gjithë politika dhe shoqëria shqiptare duhet të jetë në krah të qytetarëve të rrezikuar.
Rama, në apelin e tij drejtuar kreut të shtetit, Bamir Topi, deklaroi se “është ora që Presidenti i Republikës të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kjo katastrofë nuk është për shkak të zemërimit të natyrës, por për shkak të keqqeverisjes dhe njerëzit e vendi nuk duhet të paguajnë asnjë kosto shtesë po për këtë shkak”.
Por kreu i opozitës ka bërë të ditur se askush nga njerëzit me pushtet që kanë përgjegjësi nuk duhet të mbesin pa u ndëshkuar. Kreu i PS-së, Edi Rama, duke iu drejtuar direkt kreut të organit të akuzës, Ina Rama, deklaroi se ka deklaruar se “është ora që Prokurorja e Përgjithshme të mos lejojë humbjen apo tjetërsimin e asnjë prove për përgjegjësinë e pashmangshme të kujtdo qoftë që paguhet nga shqiptarët për t’iu siguruar jetën, pronën, të ardhmen, jo për t’i përmbytur për shkaqe që duhet të bëhen transparente fije për fije dhe duhet të ndëshkohen një për një”.
është ora, tha ai, që njëzet vjet pandëshkueshmëri për gjithfarë katastrofash jonatyrore të mbarojnë dhe shpresa se ky vend mund të bëhet dhe se ndëshkimit të ligjit nuk i shpëton asnjë keqbërës, aq më tepër keqbërësit e veshur me pushtet, të mos vdesë edhe për njëzet vjet të tjera. “Hetimet duhet të fillojnë urgjentisht, ndërkohë që politika duhet të mos ngatërrojë radhën e punëve. Në fillim jetët e njerëzve, pastaj përgjegjësitë e pushtetarëve. Një për një. Deri në fund”, nënvizoi Rama.
Duke përforcuar qëndrimet e dhëna më parë nga drejtuesit e selisë rozë, Rama i është drejtuar ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, duke i bërë thirrje të largohet nga detyra ose nga drejtimi i situatës aktuale, ndërkohë që ka kërkuar nga qeveria llogaritjen e dëmit. “Për çdo element të kësaj situate, ku Sali Berisha duhet t’ua kursejë shqiptarëve edhe panikun, edhe broçkullat, edhe gënjeshtrat, edhe avazin e tij vulgar kundër opozitës.
Ashtu siç duhet t’u kursejë edhe daljen në publik të ministrit të tij të energjetikës, i cili në qoftë se nuk heq menjëherë dorë, së paku nuk duhet lejuar të ketë më dorë”, deklaroi kreu socialist. Rama nuk i ka kursyer akuzat ndaj Kryeministrit Berisha: “është ora që qeveria të lëvizë konkretisht me kalkulimin e dëmeve, përcaktimin e kritereve të kompensimit financiar të çdo dëmi, bërjen transparente të tyre një orë e më parë dhe madje vendimmarrjen për lëvrimin e shumave të para në mënyrë që të inkurajohen për t’u larguar nga zona e rrezikut të gjithë ata që i friken, me të drejtën e Zotit, gënjeshtrës së radhës së këtij Kryeministri”.
Ndërkohë, lideri i opozitës u ka bërë thirrje qytetarëve të rrezikuar nga përmbytjet që të largohen nga zona dhe u ka kërkuar të gjithë socialistëve dhe qytetarëve të vendit që të ndihmojnë banorët e komunave të përmbytura. Partia Socialiste ka hapur dy llogari bankare, në dy banka të ndryshme, për të mbledhur ndihma financiare për familjet e përmbytura. Numrat e llogarisë së hapur nga PS janë: Banka “Credins”, numri i llogarisë – AL37 2121 1016 0000 0000 0020 4700 dhe BKT, numri i llogarisë - 401 328 520.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›