E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fasonistët shpresojnë për përmirësime më 2010-n

Eksporti i këpucëve në sasi gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2009 ka qenë 13 për qind më i ulët se e njëjta periudhë e vitit paraardhës, por të ardhurat e kësaj industrie kanë pasur ecuri më pozitive si pasojë e zhvlerësimit të lekut kundrejt euros, bëhet e ditur nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Për dhjetëmujorin 2009 u eksportuan gjithsej 12 500 tonë këpucë me vlerë të përgjithshme prej 16.3 miliardë lekësh. Një vit më parë, qenë eksportuar 14 400 tonë këpucë, me vlerë monetare prej 15.9 miliardë lekësh.
Këpucët janë malli më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare dhe vendi ynë renditet i gjashti në botë për nga sasia e këpucëve të eksportuara. Rreth një e treta e të punësuarve në sektorin e përpunimit aktiv, ose rreth 30 mijë vetë u përkasin fabrikave të këpucëve. Kjo industri importon zakonisht lëndë të parë nga Italia dhe eksporton produkte të gatshme ose 98 për qind të gatshme sipas kërkesave specifike të porositësit. Avantazhi kryesor i Shqipërisë në këtë fushë është afërsia me tregun europian dhe krahu i lirë i punës. Kina dhe vendet e tjera të Lindjes, të cilat janë eksportuese të rëndësishme këpucësh në botë, vitin e kaluar u përballën me tarifa doganore prej rreth 20 për qind të vendosura nga Bashkimi Europian, gjë që i dha pak frymëmarrje eksportuesve shqiptarë. Nga ana tjetër, kjo industri eksportuese paguhet në euro, ndërkohë që i ka shpenzimet në masën dërrmuese në lekë. Euro është sot 13 për qind më e shtrenjtë se një vit më parë, gjë që ka eliminuar në shkallë të gjerë efektet nga rënia e kërkesës në tregjet botërore.
Diversifikim tregu
Gjatë muajve të parë të vitit 2009, industria eksportuese e fasonistëve vuajti pasoja të rënda dhe shumë të rënda nga kriza botërore, por më të goditurit qenë prodhuesit e veshjeve. Prodhuesit e këpucëve u përballën gjithashtu me rënien e kërkesës nga Italia dhe vende të tjera perëndimore, duke u detyruar të shkurtojnë një pjesë të forcës punëtore. Por rënia për këtë segment ishte më e vogël. Kriza duket se solli edhe më detyrim për ndërmarrjet e këtij sektori, kërkimin e tregjeve të reja, të ndryshme nga ato tradicionale. Në të shkuarën, i gjithë malli i prodhuar shkonte në Itali ose Greqi, ndërsa gjatë vitit 2009 u siguruan kontrata edhe për eksporte në Austri, Zvicër, Holandë e Spanjë. Disa prej përfaqësuesve të kësaj industrie besojnë se më e keqja nga kriza tashmë ka kaluar dhe kërkesa nga Europa është stabilizuar. Megjithatë, ata nuk presin që eksportet të rikthehen shpejt në nivelet e larta të vitit 2008, apo të rifillojnë të rriten me ritmet e mëparshme.
Siç tregojnë edhe përfaqësuesit e sektorit, kriza i dha goditjen finale industrisë. Gjatë 4-5 viteve të fundit, sektori kishte nisur të ndiente efektet negative të Kinës, një superfuqi e industrisë fasoniste. Porositë nga viti në vit janë reduktuar dhe dy vitet e fundit janë ulur edhe më shumë. Kërkesa nga tregjet europiane ka shkuar veçse me rënie dhe ndërkohë shumë kompani të huaja u janë drejtuar vendeve të Azisë për të realizuar produktet e tyre. Krahu i lirë i punës dhe volumet e mëdha që ofron kryesisht Kina i kanë drejtuar shumë administratorë europianë që t’i ngrenë linjat e tyre të prodhimit në këtë shtet.
Sot, në Shqipëri, punohet veçse me porosi të vogla dhe dërgesa të shpejta, për shkak të afërsisë gjeografike që ka vendi ynë, sidomos me Italinë.
Megjithatë perspektiva dhe parashikimet e fasonistëve duket se janë optimiste. “Që tani, porositë në fabrikë kanë nisur të rriten dhe dalëngadalë duket se po shkëputemi nga periudha e vështirë që nisi që në mars të këtij viti. Ne jemi duke i rimarrë punonjësit në punë, me qëllim që të përballojmë fluksin në rritje të volumit të punës”, thotë një prej industrialistëve të këtij sektori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›