Niveli i ujit rritet ora-orës, duke kërcënuar kryeqendrën e veriut

Katastrofë në Nënshkodër dhe panik në qytetin e Shkodrës. Kjo është situata më e fundit e shkaktuar nga hapja e detyruar e portave të hidrocentraleve mbi Drin, që kanë shkaktuar përmbytje masive. Gjatë ditës së djeshme, niveli i ujit në zonën e Nënshkodrës është rritur frikshëm, duke bërë që tashmë e gjithë zona e Nënshkodrës të ngjasojë me një liqen të madh. Konkretisht janë mbi 9 mijë ha tokë të përmbytura, mbi tremijë persona të evakuuar dhe mbi dymijë shtëpi të përmbytura.
Izolohet qyteti
Uji ka pushtuar tashmë edhe një pjesë të rrugës nacionale Tiranë-Shkodër, duke e bërë të pamundur qarkullimin nëpër të të veturave e furgonëve. Vetëm kamionët kanë mundur të përshkojnë dje rrugën kryesore që lidh qendrën më të madhe të veriut me pjesën tjetër të vendit, duke paralizuar kështu edhe punën në pikat kufitare të Hanit të Hotit dhe Muriqanit. Kalimi i mjeteve të vogla është orientuar tashmë nga rruga e Vaut të Dejës, që është e amortizuar, por në terren të sigurt sa u përket përmbytjeve.
Zgjerohet “liqeni”
Gjatë ditës së djeshme, përmbytjet kanë përfshirë edhe lagjet periferike të qytetit, si Bahçallek, Ajasëm, Qafë dhe Udhakryq, ku banorët janë detyruar të lënë shtëpitë, pasi përmbytja rrezikonte jetët e njerëzve. Forcat e zhytjes së RENEA-s dhe FNSH-së së Shkodrës, në bashkëpunim edhe me forcat e ushtrisë, kanë bërë të mundur evakuimin e pjesës më të madhe të banorëve që gjendeshin në këto banesa. Ndërkohë, personeli mjekësor bën thirrje që uji i pijshëm në zonat e përmbytura të mos përdoret, pasi është i rrezikshëm.
Panik në qytet
Situata në të vërtetë ka krijuar një panik tepër të madh te qytetarët e Shkodrës. Makinat e shumta të ushtrisë dhe policisë që lëviznin me shpejtësi, ushtarët dhe policët në terren, helikopterët që patrullojnë në lartësi të ulët krijojnë ndjesinë e të qenët në hall të madh. Nisur nga kjo gjendje, ku niveli i ujit u rrit aq shumë sa bllokoi rrugën nacionale Shkodër-Tiranë në vendin e quajtur harku i Berdicës, është ndërprerë mësimi në të gjitha shkollat e qytetit, duke nisur nxënësit në shtëpi deri në një njoftim të dytë.
Paniku në qytet është rritur edhe më shumë pas këtij vendimi. Shumë qytetarë janë sulur drejt supermarketeve dhe dyqaneve ushqimore, duke blerë miell, vaj, sheqer e ujë të pijshëm. Në rrugë e në lokale, njerëzit bisedojnë vetëm për përmbytjen, duke diskutuar edhe skenarët më të pabesueshëm, me shembje digash e vërshim të menjëhershëm të ujit në formën e një cunami.
Shtabi i emergjencës
Shtabi i emergjencës ka hapur edhe një llogari bankare, ku qytetarë të ndryshëm mund të kontribuojnë për banorët e zonave të përmbytura në Shkodër. Strukturat e ushtrisë dhe të policisë janë të përqendruar kryesisht në komunat Dajç, Ana e Malit, Bërdicë, Guri Zi, Velipojë dhe lagjet e rrezikuara të Bashkisë Shkodër, ku po bëjnë evakuimin e komunitetit të rrezikuar.Janë marrë masa duke siguruar 27 tonë ushqime dhe 10 tonë ujë të ambalazhuar për të përballuar çdo situatë të padëshiruar.
Ndërkohë, Bashkia Shkodër ka vënë në dispozicion të qytetarëve numrat telefonikë: 242393 dhe 243783, ndërsa Qarku Shkodër dy numra të tjerë 248409 dhe 242373. Pranë këtyre numrave ka shërbim 24 orësh për të marrë telefonata nga qytetarët në lidhje me problemet që mund të kenë në një situatë të tillë.
Rruga
Uji ka pushtuar tashmë edhe një pjesë të rrugës nacionale Tiranë-Shkodër, duke e bërë të pamundur qarkullimin nëpër të të veturave e furgonëve.