E Martë, 3 Nëntor 2026

Kreu i zjarrfikësve në Bashkinë e Fierit, Zija Hyka zbulon si nisi zjarri në qendrën tregtare

Kreu i zjarrfikësve në Bashkinë e Fierit, Zija Hyka ka dhënë detaje të reja mbi zjarrin që përfshiu ditën e djeshme një qendër tregtare në Lushnje.

Në një lidhje telefonike me emisionin “Jetë Shqiptare”, Hyka u shpreh se zjarri ra fillimisht në katin e tretë dhe u përhap dhe në të katërtin. Ai e cilësoi operacionin e shuarjes së flakëve dhe evakuimit të banorëve si të vështirë, kjo për faktin se vatra e zjarrit ishte tejet masive e u duhej të vepronin me autoshkallë për nxjerrjen e qytetarëve nga godina shumë-katëshe.

“Vështirësia nuk mund të themi se kishte, por situata e zjarrit krijon problemet e veta. ishte një zjarr goxha masiv. një zjarr në lartësi, në katin e katërt.

Ishin objekte shërbimi dhe kanë lartësi goxha të lartë. Ne bëmë maksimumin e punës sonë që në mbërritje në vendngjarje.

Ne jemi nisur me një automjet dhe 4 punonjës dhe më pas kemi marrë dhe një automjet tjetër si tip autoshkalle, sepse nga pjesa e pasme e ndërtesës në katin e katërt, na duhej të vepronim me autoshkallë.

Nuk ka Lushnja autoshkallë, kemi nisur autoshkallë nga Bashkia Fier dhe nga Bashkia Gramsh.

Ishte operacion i vështirë. Vatra e zjarrit ka qenë fillimisht në katin e tretë në krahun e djathtë të hyrjes së objektit dhe më pas ka kaluar në katin e katërt. Kati i katërt ishte lokal, ambient shërbimi, lodra fëmijësh. Aty ka qenë vatra më e madhe e zjarrit sepse dhe vetë arredimi kishte premise për të patur zjarr masiv”, u shpreh Hyka.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›