E Diel, 1 Nëntor 2026

"Krijimi", edhe një herë në Tiranë

Në kuadër të "Tetorit gjerman", për publikun shqiptar do të vijë edhe një herë opera "Krijimi" e kompozitorit të njohur austriak, Franz Joseph Haydn. Ajo do të shfaqet mbrëmjen e 18 tetorit në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë. Këtë herë, "Krijimi" është përshtatur për kor dhe orkestër, ka si veçanti të saj interpretimin prej tre koreve njëherësh. Kështu do të ngjitet në skenë kori francez "Andre Leculeur", ai gjerman "Collegium Vokale", si dhe kori shqiptar "Prenk Jakova". Rolet kryesore në këtë vepër do të sillen përmes interpretimit të sopranove Erjona Gjyzeli e Dorina Selimaj dhe tenorëve Jan Ciesielski e James Tolksdorf. Interpretimi i tyre do të shoqërohet nga orkestra e Radiotelevizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Oleg Arapi. Mbrëmja organizohet nga Ambasada Gjermane, në bashkëpunim me shoqatat "Syri Blu" dhe "Miqtë e muzikës". Pas shfaqjes në Tiranë, një ditë më pas, artistët do të interpretojnë në Katedralen "Shën Shtjefni" të Shkodrës, nën drejtimin e dirigjentit gjerman, Matthias Topp. Opera "Krijimi" i Haydn-it është sjellë për publikun shqiptar në prill të këtij viti, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. "Krijimi" është vënë në skenë për herë të parë në Vjenë, në Pallatin Schwarzenberg, në prill dhe maj të vitit 1798, për një publik të zgjedhur, ndërsa për një publik më të gjerë është prezantuar për herë të parë në mars të vitit 1799, në Burgtheater të Vjenës. Kompozitori austriak, Franz Joseph Haydn, është një ndër më të mëdhenjtë e periudhës klasike. Ai konsiderohet si "babai" i simfonisë dhe kuartetit të harqeve. Veprimtaria e tij artistike ka qenë mjaft e njohur dhe e vlerësuar në Londër, vendi ku ai vendosi të jetojë. Muzika e tij ishte mjaft e preferuar prej aristokracisë e qarqeve intelektuale të kohës, gjë që i dha mundësi në afirmimin e mëtejshëm të tij. Operën "Krijimi" ai e kompozoi në vitin 1798.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›