"Tronditëse polifonia shqiptare"
Mbrëmjen e së enjtes u promovua në sallën e bibliotekës publike të qytetit të Fierit dokumentari "Vendi i shumë zërave", kushtuar polifonisë labe. Organizatorët shpjegojnë se dokumentari ka marrë këtë titull pikërisht prej veçorisë së polifonisë, ku bëjnë pjesë shumë zëra. Dokumentari ka zgjatur 48 minuta dhe në të janë shfaqur filmime të ndërthurua mjaft bukur me këngë polifonike shqiptare. Kushtuar grupit folklorik të Vranishtit, dokumentari është cilësuar si një vajtje-ardhje midis momenteve më të rëndësishme të koncerteve të mbajtura në Francë nga grupi i Vranishtit dhe takimeve me plot emocion me këngëtarët e luginës së sipërme të Shushicës. Një moment humaniteti që i bën të mundur spektatorit të depërtojë në zemër të funksionimit social dhe artistik të polifonisë së jugut të Shqipërisë. Autorët e dokumentarit janë Joelle Duparc dhe Gerard Alba, të cilët kanë qenë të pranishëm në promovimin e tij në Fier. Joelle Duparc është një regjisore e cila u është kushtuar kryesisht filmave muzikorë, që shpërndahen rregullisht në televizionet private dhe publike të Francës. "Grupin e Vranishtit dhe të Lapardhasë, e zbulova në vitin 2000 në Langon të Francës. E kam cilësuar një tronditje nga ana estetike dëgjimin e polifonisë", është shprehur regjisorja Duparc. Ajo ka treguar se pas dëgjimit të polifonisë në vitin 2000, udhëtoi në burimet e këngës polifonike dhe përftoi mjaft material nga origjina dhe arti i tyre. Ndërsa Gerard Alba vjen çdo vit në Shqipëri. Udhëtimin e përvitshëm Alba e ka nisur që nga viti 1995, pasi ai angazhohet për veprimtari humanitare kulturore. Ai është një regjisor i përgjithshëm dhe interpretues i gjashtë studimeve të organizuara nga etnologu i njohur francez, Bernard Jacob. Alba gjithashtu është bashkëpunëtor edhe në filmin "Këngët e një vendi të humbur", që i kushtohet eksodit të çamëve, në qendër të së cilit është këngëtari çam, Shaban Zeneli.
M. Troka
M. Troka