Krijimi i një klime të favorshme për investimet e huaja, prioritet për të gjitha vendet e rajonit
Krijimi i një klime të favorshme për investimet e huaja është shndërruar tashmë në një prioritet për të gjitha vendet e rajonit tonë. Si pjesë e kësaj gare, Shqipëria po përpiqet të thithë sa më shumë investime, kryesisht në sektorët e energjetikës, infrastrukturës dhe turizmit. Në fjalën e saj, Krye parlamentarja Topalli deklaroi se Shqipëria është një nga vendet me rritjen ekonomike më të lartë në Evropë. “Gjatë vitit 2007 vendi ynë pati një rritje ekonomike prej afro 6%, dhe një inflacionin vjetor të mbajtur nën kontroll rreth 3%. Investimet e huaja, të cilat kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në këtë situatë ekonomike kanë pësuar rritje gjatë periudhës 2005-2008. Gjatë 2008 ky nivel investimesh pritet të rritet dhe më tej me privatizimin e kompanive të mëdha dhe të rëndësishme shtetërore si Korporata Elektro-energjetike Shqiptare, ARMO, Instituti i Sigurimeve”, tha Topalli. Sipas saj në, ne parlament është punuar për përmirësimin e legjislacionit për të krijuar një klimë sa më e përshtatshme për rritjen e investimeve të huaja. “Eshtë debatuar shumë në komisione dhe janë miratuar ne parlament ligje që ndihmojnë investitorët në aspekte të ndryshme. Konstatoj me kënaqësi se një pjesë e këtyre përmirësimeve në legjislacion pasqyrohen edhe në Rekomandimin 101/2008, i cili së, bashku me raportin pritet të miratohen nga kjo mbledhje”, theksoi ajo. Duke vijuar më tej, Topalli deklaroi se Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ndryshme për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve të huaja dhe shmangien e taksimit të dyfishtë me shumë vende të rajonit dhe të botës si, Turqia, Bullgaria, Rusia, Rumania, Ukraina, ShBA, Austria, Holanda etj. Gjithashtu janë nënshkruar dhe marrëveshje për tregtinë e lirë ku veçohet CEFTA.