E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët e NATO-s: Ftesën mund ta marrin të tre vendet e kartës “Adriatik 3”

Ambasadorët e NATO-s, kanë deklaruar dje se Aleanca Veri-Atlantike mund të ftojë në bllok të tre vendet, Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Sipas disa ambasadorëve të NATO-s, që kanë zhvilluar konferenca me mediat në Bruksel, ka konsensus që NATO të dërgojë ftesën për tre vendet e kartës “Adriatik 3”. Sipas ambasadorit italian dhe atij spanjoll, çështja e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë është një çështje bilaterale, që pritet të zgjidhet para samitit të Bukureshtit. Ndëkohë, sipas ambasadorit italian, nuk do të ishte e mundur që për shkak të bllokimit të Maqedonisë të bllokohej edhe ftesa për Shqipërinë. Sipas tij, nëse çështja e emrit nuk zgjidhet deri në samit, atëherë ftesa mund të jepet për Kroacinë dhe Shqipërinë. Ndërsa, zëdhënësi i NATO-s, James Appathuray ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp, se ne takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm të NATO-s nuk do të ketë vendim lidhur me ftesën, por do bëhet vetëm vlerësimi për planin e anëtarësimit për tre vendet e Adriatikut. Lidhur me veton greke edhe ambasadori shqiptar pranë NATO-s, Artur Kuko ka thënë se gjërat mund të ndryshojnë deri edhe në dy-tre ditë para samitit, ndaj duhet pritur deri në samitin e Bukureshtit.
Komisioni Amerikan i Helsinkit: NATO të zgjerohet me tre vendet kandidate të kartës “Adriatik 3”/Zgjerimi i NATO-s dhe takimi i Bukureshtit ishte tema e një seance dëshmish të organizuar dje nga Komisioni i Helsinkit i Kongresit amerikan. Senatorët dhe ligjvënësit që bëjnë pjesë në këtë komision kishin ftuar studiues të çështjeve të Evropës Lindore, të cilët diskutuan mbi përparimin e shënuar nga vendet e Kartës së Adriatikut drejt standardeve për anëtarësim në NATO dhe rëndësinë që përbën për rajonin e Ballkanit, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pranimi i tyre në aleancë. Seanca dëshmoi përkrahjen që gëzojnë 3 vendet e Kartës së Adriatikut në ambiciet e tyre për anëtarësim në NATO, dhe tregoi se shumë nga shqetësimet që ngrihen nuk lidhen aq shumë me përparimin e tyre, por me zhvillime politike dhe interesa strategjike jashtë këtyre vendeve. Michael Hatzel i Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin Xhons Hopkins, e përqendroi dëshminë e tij në një analizë të arritjeve të këtyre vendeve, dhe në argumente për t’iu kundërvënë kritikave të skeptikëve për këtë zgjerim. Disa kritikë argumentojnë se Shqipëria dhe Maqedonia do të shndërroheshin në konsumatorë dhe jo kontribues të sigurisë në rajonin e Atlantikut Verior. Është një argument pa vend, pasi këto vende kandidate kanë vënë në rrezik jetë njerëzish, si dhe burime ushtarake për të kontribuuar në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak.
Hatzel foli më pas për situatën në Ballkan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe iu përgjigj thirrjeve të disa analistëve për pezullimin e zgjerimit të NATO-s në këtë atmosferë. “Përkundrazi, çështja e Kosovës e forcon argumentin për zgjerimin në takimin e Bukureshtit. Nëse qeveria e Beogradit vazhdon politikat e vetizolimit nga komuniteti euro-atlantik dhe ndoshta përkohësisht ka prirje të shndërrohet në një satelit të Moskës, do të ishte një politikë e mirë sigurie që Serbia të rrethohej nga vende anëtare të NATO-s”, tha ai. Drejtori i Projektit për Demokracitë e Reja Evropiane pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janush Bugajski u bëri një analizë përparësive strategjike, të cilave u shërben përfshirja në Aleancë e vendeve të Kartës së Adriatikut. “Zgjerimet e viteve të fundit, kanë përfshirë brenda kufijve të Aleancës pjesën më të madhe të Evropës, me përjashtim të dy rajoneve të rëndësishme, Ballkanit dhe rajonit të Detit të Zi. Përfshirja e Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO do të pakësojë ndjeshëm “zonën gri” në Ballkanin perëndimor dhe do të fuqizojë misionin e NATOs si një garantues i stabilitetit rajonal. Ftesa për vendet e Kartës së Adriatikut në takimin e Bukureshtit do të ndikojë pozitivisht në përmbushjen e misionit të Aleancës”, deklaroi Bugajski. Ai veçon zhvillimet demokratike që kanë realizuar Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia në vitet e fundit dhe faktin që të tre ato janë treguar partnerë aktivë në misionet e NATO-s. Një arsye tjetër aktuale që nënvizon analisti, është forcimi i qëndrueshmërisë dhe sigurisë rajonale, që merr një rëndësi të veçantë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe me situatën e trazuar në Serbi. “Me anëtarësimin e këtyre vendeve në NATO, Aleanca i dërgon një mesazh të fortë mbështetjeje forcave përparimtare, pro-perëndimore në Serbi, se dyert e saj janë të hapura për këdo që përqafon rrugën e reformave”, thesoi ai. Me gjithë mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara, anëtarësimi i vendeve të Kartës së Adriatikut varet nga vota e përbashkët e anëtarëve të Aleancës. Anëtari i Komisionit të Helsinkit, Mike McIntyre interesohet të dijë se çfarë skenarësh mund të pasojnë një votë negative nga Aleanca. “Ka njerëz që shqetësohen për mundësinë e hapave prapa. Ka dy arsye përse nuk duhet të ketë shqetësim”, shpjegon Michael Hatzel. Sipas tij, të gjitha këto vende aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, por nëse ngecin reformat në çështje si demokracia apo shteti ligjor, do të shkatërronin shanset për anëtarësim në BE. Shumë skeptikë të zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s ngrenë shqetësimin e një kthimi prapa të këtyre vendeve pas anëtarësimit në Aleancë. Hatzel siguron ligjvënësit se NATO-ja ka mjete që edhe pas anëtarësimit të ushtrojë presion mbi anëtarët e saj për të mos lejuar devijime të papranueshme. Por analisti Janush Bugajski shpjegon se një votë negative, megjithëse nuk do të pasohej nga trazira të hapura, do të ndikonte në mënyrë të konsiderueshme tek këto vende. “Veçanërisht në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, Shqipëria ishte e para që paraqiti kërkesë për anëtarësim në NATO në fillim të viteve ’90. Pas mbi 15 vjetësh përpjekjeje të qenësishme në aspektin e sigurisë, me gjithë problemet në aspektin demokratik, ata presin një angazhim konkret nga Shtetet e Bashkuara dhe Aleanca, ashtu si angazhimi që kanë treguar edhe ata vetë. Bugajski nënvizon edhe aspektin psikologjik që shoqëron anëtarësimin në NATO. “Njoh shumë biznesmenë që presin si do të dalë ky proces për Shqipërinë”, theksoi ai. Anëtarësimi në NATO është një ndër pyetjet kryesore që ngrenë shumë investitorë kur duan të futen në një treg të ri. Megjithëse Komisioni i Helsinkit përqendrohet në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut dhe forcimin e institucioneve demokratike, seanca e djeshme dëshmoi përsëri se takimi në Bukuresht nuk do të përfshijë vetëm një analizë të arritjeve të këtyre vendeve në përmbushjen e standardeve, por edhe një shqyrtim të një numër çështjesh strategjike dhe politike që janë parësore për interesat e NATO-s në rajon.
Rumania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO/Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu zhvilloi një vizitë zyrtare në Bukuresht të Rumanisë, me ftesë të homologut te tij, Teodor Melescanu. Kjo vizitë në Bukuresht vjen pak para Samitit të 2-4 prillit 2008, ku Aleanca e Atlantitkut të Veriut do të diskutojë zgjerimin e saj me tre vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni. Në takimin që patën krerët e Mbrojtjes të të dy vendeve tona, Ministri Mediu mori mbështetjen e plotë të Rumanisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. “Samiti i Bukureshtit do të jetë samiti i zgjerimit dhe ne mirëpresim vendet e Kartës së Adriatikut”, u shpreh Ministri Melescanu. Ai vuri në dukje se “Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Rumanisë jo vetëm për marrjen e ftesës, por dhe për procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të plotë”. Ndërsa nga ana e tij,nga ana e tij, Ministri Mediu vlerësoi mbështetjen rumune si tepër të rëndësishme për aspiratën shqiptare për anëtarësim. Takime të rëndësishme, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu pati edhe me Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Bogdan Olteanu, ku mori mbështetjen jo vetëm për procesin e ftesës për anëtarësim, por dhe për hapat e mëtejshme të ratifikimit të plotë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ndërsa në takimin me kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Kostika Canacheu, Mediu kërkoi nga kolegu i tij deputet lobim për miratimin nga Parlamenti rumun të anëtarësimit të Shqipërisë, pas marrjes së ftesës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›