Fratini nesër në Tiranë çel procesit për udhëtimin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian
Komisioni Europian do të fillojë shumë shpejt bisedimet me Shqipërinë për kushtet e fillimit të procesit të liberalizimit të vizave. Ky dialog do të promovohet nga vetë zëvendëspresidenti i KE-së, Franko Fratini, i cili do të vizitojë nesër vendin tonë. Deklarata është bërë nga kreu i misionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, i cili bëri prezantimin e dokumentit të Bashkimit Europian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok. “Nuk ka një datë të caktuar se kur do të ndodhë liberalizimi konkret, por kjo varet nga puna që do të bëjë Shqiperia me reformat dhe standardet e vendosura nga ndërkombëtaret”- tha Lohan. “Katër çështjet që do të merren parasysh në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave do të jenë dokumentet e identifikimit, emigracioni ilegal, rendi publik si dhe marrëdhëniet e jashtme. Koha kur do të arrihet liberalizimi i vizave do të varet progresi i çdo vendi në realizimin e kushteve të vëna. Gjatë gjithë procesit të dialogut do të merret në konsideratë edhe mundësia e çdo vendi për të siguruar implementimin korrekt dhe efektiv të lehtësimit të vizave dhe zbatimit të marrëveshjeve. Nga ana tjetër Komisioni dhe Këshilli i Evropës do të monitorojnë nga afër progresin në reformat perkatese. Pasi të jenë përmbushur kushtet, Komisioni do t’i propozojë Këshillit heqjen e regjimit të vizave”- thuhet më tej në dokumentin e BE për integrimin e vendeve të Ballkanit. Në vijim të prezantimit të dokumentit, kreu i misionit të KE në Shqipëri citoi faktorët nga të cilat varet ecuria e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. “Implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, zhvillimi i zgjedhjeve të ardhme parlamentare sipas standarteve ndërkombëtare dhe forcimi i shtetit ligjor kryesisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë faktorët nga të cilët varet ecuria e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian” - tha Lohan. Sipas tij në dokument thuhet gjithashtu se udhëheqësit politikë të Shqipërise kanë dhënë fjalën se do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për reformat kyçe. Gjithashtu Bashkimi Europian do të jape deri në vitin 2010, 2.8 miliardë euro ndihmë për vendet e Ballkanit.