Krijimi i vendeve të punës, përparësia më absolute e kabinetit “Berisha”
U përuruan sot paradite rikonstruksioni i segmenteve rrugore Uzina e Autotraktorëve – Lanabregas dhe Ura e Surrelit - Farkë. Gjatë ceremonisë, kryeministri Berisha theksoi se investimet e qeverisë nuk do të ndalen, pasi kjo është e vetmja rrugë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe kthimin e investimeve përmes çeljes së bizneseve të reja
Rruga e ndërtuar sipas standardeve më bashkëkohore, me gjatësi totale 6.4 km, gjerësi 6 metra, përbën një investim me vlerë 157.2 milion lekë dhe lidh tre fshatra të komunave Dajt dhe Farkë, duke shkurtuar distancën e tyre me kryeqytetin dhe duke lehtësuar komunikimin për 20 mijë banorë të zonave përreth. Këto rrugë i japin një frymëmarrje dhe zhvillim harmonik kryeqytetit me komunat fqinje. Segmentet rrugore Uzina Autotraktorëve – Lanabregas dhe Ura e Surrelit – Farkë janë rehabilituar në kuadër të Projektit të Rrugëve Lokale dhe Dytësore të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe qeveria shqiptare. Rruga e re do të lehtësojë transportin dhe shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale të këtyre fshatrave në tregun kryeqytetas. Një impakt të rëndësishëm këto segmente rrugore kanë edhe në zhvillimin e turizmit, pasi lehtësojnë ndjeshëm udhëtimin drejt Parkut Kombëtar të Dajtit, Liqenit të Farkës, si dhe frekuentimin e hoteleve dhe restoranteve të zonës. Gjatë këtyre viteve në qarkun e Tiranës janë ndërtuar 950 km rrugë, ndër të cilat 680 km rruge lokale e dytësore, 180 km rruge kombëtare dhe 90 km rruge rajonale nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Janë ndërtuar e rikonstruktuar 108 sisteme ujësjellësash e kanalizime, 86 qendra shëndetësore, poliklinika e spitale, 103 shkolla e kopshte si dhe janë investuar mbi 26 milion euro në mbështetje të Universiteteve publike me seli në Tirane. Ne fushën energjetike janë investuar 63 milion euro në përmirësimin e rrjetit elektrik. Në bujqësi e blegtori janë financuar 1500 projekte duke subvencionuar 1000 ha me ullinj, dru frutor, sera e bimë are si dhe janë mbarështuar mijëra krerë bagëti. Numri i bizneseve të reja është rritur rreth 2 herë, nga 29 mijë në 57 mijë në vitin 2012. Kryeministri Berisha, i shoqëruar edhe nga drejtues lokalë u takua me banorët e zonës, të cilëve iu uroi përfundimin e rrugëve të reja. Duke iu drejtuar banorëve të këtyre zonave, Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të vazhdojë të ndërtojë rrugë. Kryeministri Berisha siguroi gjithashtu se qeveria do të bëjë gjithçka për të rritur rrogat dhe pensionet e qytetarëve shqiptarë, por mbi të gjitha qeveria do të bëjë gjithçka që të krijohet mundësia e hapjes së vende të reja të punës. Kryeministri Berisha theksoi se, asgjë më shumë se ndërtimi i infrastrukturës nuk ndikon në krijimin e vendeve të punës. “Pa ndërtimin e kësaj rruge, nuk do të kishte ndonjë biznesmen që do të donte të hapte këto një ndërmarrje industriale, për shkak të transportit. Ndërtimi i saj bën të mundur hapjen dhe punësimin tuaj kudo që jeni. Ndërtimi i rrugëve, përveç punësimit që bën në ndërtimin e tyre, krijon mundësinë e krijimit të sipërmarrjeve qoftë bujqësore, qoftë blegtorale, qoftë industriale dhe punësimin e qytetarëve. Këtu qëndron një nga shkaqet më kryesore, sepse Shqipëria këto katër vite të krizës është i vetmi vend, dhe kjo po sipas Komisionit Evropianë, që nuk pati rritje të papunësisë, por përkundrazi ulje progresive të saj” - u shpreh Kryeministri Berisha. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga qeveria për uljen e papunësisë në vend. “Ulja e papunësisë erdhi sepse ne po e transformojmë Shqipërinë dhe po e bëjmë atë me një infrastrukturë moderne. Ulja e papunësisë erdhi sepse nga 300 mijë turistë që merrnim në vitin 2004, kemi marrë 4 milion vitin që kaloi dhe do të jenë shumë më tepër këtë vit. Ulja e papunësisë erdhi, sepse në katër vite në kemi trefishuar investimet e huaja dhe ka tre vite më radhë që ato kalojnë mbi 1 miliard dollarë. Ulja e papunësisë vjen sepse ne jemi një nga qeveritë që investojmë më shumë si sektor publik në Europë dhe në botë, për ne krijimi i vendeve të punës është dhe mbetet përparësia më absolute”, - tha Kryeministri. Duke u ndalur tek rruga e sapo inauguruar Kryeministri shprehu bindjen se ajo do të ndikojë pozitivisht në jetën e banorëve duke shtuar frekuentimin në lokalet, restorantet, e hotelet e kësaj zone.
Ja edhe fjala e plotë e mbajtur sot nga kryeministri Berisha, gjatë ceremonisë së inaugurimit të dy rrugëve, në periferi të kryeqytetit
Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të shpreh kënaqësinë time se inaugurojmë sot dy rrugë të bukura në komunat tuaja, të cilat bashkojnë këto komuna me kryeqytetin e vendit. Një investim prej rreth 157 milionë lekë dhe në një gjatësi rreth 6 kilometra e gjysmën këto rrugë ju shërbejnë rreth 20 mijë qytetarëve, të cilët e kanë dhe do ta kenë shumë më të lehtë dhe të kollajtë lidhjen me qendrën e Tiranës. Më lejoni t’ju siguroj juve se investimet në këto zona nuk do të njohin të ndalur, se kryetarët tuaj të komunave, i kanë bërë ato prezente në mënyrë të përsëritur tek qeveria dhe ne jemi të vetëdijshëm se ju keni nevojë për shkolla të reja, keni nevojë për infrastrukturë më të gjerë dhe ju garantoj se siç ndërtuam këtë rrugë do të ndërtojmë tërësisht infrastrukturën derisa ju të ndiheni me infrastrukturë të njëjtë, me çdo lagje të kryeqytetit të vendit. Gjithashtu kam kënaqësi t’ju informoj se gjatë këtyre viteve në qarkun e Tiranës janë ndërtuar 950 kilometra rrugë dhe se ne qëndrojmë të vendosur të asfaltojmë në këtë qark çdo kilometër rrugë aty ku banojnë banorë të këtij qarku. Vendosmëria jonë për ndërtimin e një infrastrukture modernë është faktuar para mbarë shqiptarëve, pasi në këto vite ne kemi asfaltuar mbi 10 mijë kilometra rrugë. Së shpejti hapen dhe 500 kilometra të tjera, ndërkohë janë në ndërtim e sipër mbi 1500 kilometra rrugë. Kjo ishte trashëgimia jonë. Në vitin 2005 kur ne erdhëm në pushtet, në mbarë vendin ishin të asfaltuara gjithsej 2430 kilometra rrugë. Jo në Tropojë apo në Kolonjë, por po të dilje në periferi të Tiranës nuk të kapnin sytë askund asfalt dhe çfarë ishte më e keqja, zona të tëra të vendit ishin të dënuara për tu injoruar pasi konsideroheshin zonat e asgjësë. Politika jonë është krejt tjetër. Ne do të shkojmë me infrastrukturë moderne aty ku banojnë shqiptarët. Ne nuk braktisim, nuk bojkotojmë, nuk i kthejmë shpinën as edhe një lagjeje të vetme në të katër anët e vendit. Ne besojmë se Shqipëria është një vend shumë i pasur, se Shqipëria kë pasuri përrallore, ato duhet të shndërrohen në vlera për qytetarët e saj. Kushti më themelor i shndërrimit të tyre në vlera është infrastruktura rrugore. Është faktuar në mënyrën më të pakundërshtueshme se çdo dollarë i investuar në rrugë kthen më shpejt se çdo gjë tjetër, me 4.6 deri ne 5 herë vlerën e investimit, sepse rruga është kursim i madh në transport, sepse rruga është korridor i energjisë së tregut, sepse rruga bën të mundur që prodhimet të dalin me shpejtësinë më të madhe në treg, sepse rruga bën të mundur që bizneset të lulëzojnë, aty ku është rruga, ndaj dhe ne jemi përqendruar me të gjitha forcat tona për një infrastrukturë moderne. Një muaj më parë Komisioni Evropian do të deklaronte se Shqipëria në vitet e fundit ka ndërtuar autostrada, superstrada, rrugë të tjera rurale më shumë se i gjithë rajoni i marrë sëbashku dhe këto u ndërtuan që të gjitha duke mbajtur borxhin në një nivel të palëvizshëm. Këto u ndërtuan që të gjitha duke luftuar korrupsionin me zero tolerancë. Këto u ndërtuan që të gjitha duke bërë që ekonomia shqiptare të mos zhytet në krizë, për shkak të klimës së favorshme që kemi krijuar dhe krijojmë për bizneset. Këto u ndërtuan që të gjitha sepse kjo ekonomi në katër vitet e fundit u rrit 4 herë më shumë sesa mesatarja e Rajonit, po sipas Komisionit Europian kjo. Këto u bënë të mundura para së gjithash nga përkushtimi i madh i kësaj mazhorance, i qeverisë së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, për të zgjidhur në mënyrën më të shpejtë dhe më të mirë problemet e qytetarëve shqiptarë aty ku jetojnë. Unë ju garantoj ju se siç kemi ndërtuar rrugën, do të ndërtojmë rrugicat, rrugët e tjera tuaja, shkollat dhe çdo lehtësi tjetër infrastrukturore, që ju keni nevojë. Nuk mund të them se nuk kemi vështirësi, nuk mund të mohohet se kjo krizë e jashtëzakonshme që ka pllakosur fqinjët tanë dhe Europën në tërësi, nuk ka pasoja dhe mbi Shqipërinë por e vërteta është se me gjithë ndikimin e saj, ky model ekonomik që ne kemi vendosur ka bërë që ekonomia shqiptare të rritet katër herë më shumë se mesatarja e Rajonit, ka bërë që kjo ekonomi pas përgjysmimit të taksave të dyfishojë të ardhurat në buxhetin e shtetit për rrugët, rrugicat, ujësjellësat, kanalizimet, shkollat, spitalet e qytetarëve shqiptarë. Rëndomtë dëgjoni të ankohen se pse po privatizohen ndërmarrjet. Ndërmarrjet privatizohen për dy arsye. Së pari është e faktuar se menaxhimi tek privati është gjithnjë më i suksesshëm sesa në publik. Së dyti dhe më kryesori, me ato para çfarë po bëjmë, po ndryshojmë jetën e gjithsecilit prej jush, me ato para po ndërtojmë rrugët, me ato para po ndërtojmë shkollat, me ato para po rrisim rrogat, me ato para po krijojmë vende pune, me ato para po rrisim pensionet, ndaj dhe privatizimi është një nga drejtimet më të suksesshme, më themelore të një ekonomie. Ju jeni dëshmitarë se çdo vit ne kemi rritur rrogat, ju jeni dëshmitar se çdo vit ne kemi rritur pensionet dhe në qoftë se gjendet një vend tjetër në Europë që ka bërë rritje të tilla, më thoni, por ju garantoj se asnjë prej vendeve të tjera nuk ka dyfishuar dhe mbi dyfishuar rrogat e pensionet si ne dhe kjo ka qenë dhe mbetet një politikë konstante, politika sociale e fytyrës njerëzore. Do të bëjmë gjithçka të rrisim rrogat tuaja, do të bëjmë gjithçka të rrisim pensionet tuaja, por mbi të gjitha do të bëjmë gjithçka që ju të keni vende pune. Asgjë më shumë se ndërtimi i infrastrukturës nuk ndikon në krijimin e vendeve të punës , pa ndërtimin e kësaj rruge, nuk do të kishte ndonjë biznesmen që do të donte të hapte këto një ndërmarrje industriale, për shkak të transportit. Ndërtimi i saj bën të mundur hapjen dhe punësimin tuaj kudo që jeni. Ndërtimi i rrugëve, përveç punësimit që bën në ndërtimin e tyre, krijon mundësinë e krijimit të sipërmarrjeve qoftë bujqësore, qoftë blegtorale, qoftë industriale dhe punësimin e qytetarëve. Këtu qëndron një nga shkaqet më kryesore, sepse Shqipëria këto katër vite të krizës është i vetmi vend, dhe kjo po sipas Komisionit Evropianë, që nuk pati rritje të papunësisë, por përkundrazi ulje progresive të saj. Ulja e papunësisë erdhi sepse ne po e transformojmë Shqipërinë dhe po e bëjmë atë me një infrastrukturë moderne. Ulja e papunësisë erdhi sepse nga 300 mijë turistë që merrnim në vitin 2004, kemi marrë 4 milion vitin që kaloi dhe do të jenë shumë më tepër këtë vit. Ulja e papunësisë erdhi sepse në katër vite në kemi trefishuar investimet e huaja dhe ka tre vite më radhë që ato kalojnë mbi 1 miliard dollarë. Ulja e papunësisë vjen sepse ne jemi një nga qeveritë që investojmë më shumë si sektor publik në Europë dhe në botë. Për ne krijimi i vendeve të punës është dhe mbetet përparësia më absolute. Ndaj edhe njëherë ju uroj gëzuar këtë rrugë, kam bindjen se do të ndikojë pozitivisht në jetën tuaj, kam bindjen se lokalet tuaja, hotelet, restorantet klubet e mrekullueshme që ju keni ndërtuar do të frekuentohen tani gjithnjë e më shumë nga qytetarët e Tiranës. Kam bindjen se fermat tuaja të vogla do të mund të nxjerrin gjithnjë e më shumë fitim në shitjen e prodhimit të tyre.
...