E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama, i tronditur nga vendosmëria për hetimin e 21 janarit

26-08-2012 / Gazeta 55

Deklarata e plotë për shtyp e zëdhënëses së Kryeministrit, Erla Mëhilli


Pasi bllokoi më 6 gusht heqjen e imunitetit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, i tmerruar nga referendumi popullor për heqjen e imunitetit, Edi Rama sot bëri përpjekjen e radhës për të mashtruar shqiptarët mbi pasojat e aktit të tij të papërgjegjshëm. Përsëri ai sot deklaroi se nuk është kundër heqjes së imunitetit, por nuk e voton atë, sepse sipas tij heqja e imunitetit nuk paskëka lidhje me luftën kundër korrupsionit, madje zoti Rama deklaroi se referendum popullor, pra verdikti i qytetarëve për heqjen e tij dhe zhbllokimin e statusit të vendit kandidat është “një lojë pa top e Sali Berishës”. Lidhur me këto deklarata, dua të theksoj se kushtëzimi që i bën zoti Rama votimit për heqjen e imunitetit me instalimin e Kushtetutës së sundimit të pakicës, është ëndrra e tij e keqe që s’do realizohet kurrë ndonjëherë. Për një votim konsensual për heqjen e imunitetit zotit Rama ju bën të gjitha lëshimet dhe fatkeqësisht më datë 6 gusht ai bllokoi votimin e draftit të PS, ndaj dhe sot zgjidhja e vetme është referendumi popullor. Në rast se zoti Rama është penduar për bllokimin që i bëri më 6 gusht votimit të heqjes së imunitetit dhe statusit të vendit kandidat, le të mos i pengojë deputetët e tij për të firmosur kërkesën për referendum popullor për heqjen e imunitetit. Pretendimi i zotit Rama se bllokimi i heqjes se imunitetit nuk është pengesë për luftën kundër korrupsionit është qesharak dhe fund e krye një mashtrim. Ai përdor këtë argument, sepse për të është fatale pyetja e qytetarëve të thjeshtë socialistë, por edhe e atyre pa parti. Çfarë e detyron këtë opozitë të mbrojë imunitetin e qeveritarëve dhe zyrtarëve në pushtet? E vërteta është se ai mbron me imunitet pasuritë e paligjshme të klubit miliarder të Partisë Socialiste. I tronditur nga vendosmëria për hetimin e 21 janarit, zoti Rama mori përsipër të bëjë Ramën tjetër. Me këtë rast i rikujtojmë se shamia e përplasur në fytyrën e tij nga familjarët e njërit prej viktimave do ta ndjekë atë si dëshmi dhe akt akuzë në tërë jetën e tij. Hetimi i 21 janarit në të tëra aspektet e tij është detyrë e dorës së parë e institucioneve të shtetit ligjor duan apo s’duan Rama apo “topi” që i ka mbetur në portën e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›