Krijohet “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, kapitali fillestar 100 milionë lekë

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë tregtare shtetërore “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a.
Vendimi u mor me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit dhe parashikon edhe përcaktimin e kapitalit fillestar të shoqërisë së re.
Sipas vendimit, kapitali fillestar i “Operatorit të Shoqërive Shtetërore” do të jetë 100 milionë lekë. Kjo shumë do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe është alokuar për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, shoqëria “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a., dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror në likuidim, subjekt i ligjit nr. 79/2026, “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, për zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
/m.q/r.e/j.p